Botë

Fajon: ratifikimi i demarkacionit, para pushimeve

06.07.2016 18:25

Raportuesja e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon...

Raportuesja e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka deklaruar se “nëse Kuvendi i Kosovës nuk e bën ratifikimin e marrëveshjes para pushimeve të verës, do të mund të rrezikojë votën në Parlamentin Europian dhe të shtyjë gjithë procesin”.

Ajo tha se qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për obligimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, që do të mundësonte hapjen e procesit të liberalizimit të vizave.

Fajon, që mori vendimin për shtyrjen e votimit në komitetin LIBE deri më 5 shtator, në vend të 12 korrikut, siç ishte paraparë, tha se përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme europiane e kanë të qartë se “pa përmbushjen e kushtit për demarkacion nuk mund të arrihet shumica e votave në Parlamentin Evropian”.

Fajon u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të përmbushin kushtet përmes ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së demarkacionit “përpara pushimeve të verës”.