Testimi ekstern, Kuvendi miratoi ndryshimet e reja

07.07.2016 12:44

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me procedurë të përshpejtuar ka miratuar...

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë me procedurë të përshpejtuar ka miratuar ndryshimet në Ligjin për testim ekstern.

Sipas ndryshimeve, testimi do të fillojë në klasën e gjashtë, ndërsa notat e testimit nuk do të vendosen në dëftesë, por në një shtesë të posaçme të saj.

Ndryshime të tjera parashikohen në përzgjedhjen e mbikëqyrësve, e cila tani do të bëhet me konkurs dhe të njëjtët do të paguhen për punën e bërë.

Qendra shtetërore për testim është e obliguar para mbajtjes së testit të bëjë publike testet me pyetje për ushtrim. Sipas deputetëve, me këto ndryshime plotësohen pothuaj të gjitha kërkesat e nxënësve për testimin ekstern.

Në të njëjtën seancë janë miratuar ndryshime në Ligjin për arsimimin e kuadrove për arsim parashkollor, fillor dhe të mesëm, Ligjin për mësues në arsimin fillor dhe të mesëm, Ligjin për institucione të larta arsimore, Ligjin për punë të brendshme.

Edhe pse nuk do të shkruhen në dëftesë dhe nuk do të llogariten gjatë vlerësimit të notës mesatare të nxënësit, notat e testimit ekstern do të merren parasysh gjatë regjistrimit të nxënësit në nivelin tjetër arsimor.