“Revolucioni laraman” letër tek BE dhe ShBA, kërkon të kyçet në bisedime

07.07.2016 13:06

“Revolucioni laraman” dhe 88 shoqata të tjera civile kanë dërguar letër deri tek Ambasada e ShBA-së...

“Revolucioni laraman” dhe 88 shoqata të tjera civile kanë dërguar letër deri tek Ambasada e ShBA-së, selisë së Bashkimit Evropian në Shkup dhe katër partive politike, me të cilën kërkojnë përfshirjen e Sektorit Civil në procesin e bisedimeve politike.

Ata konsiderojnë se pjesëmarrja e tyre në negociata do të ndihmonte shumë që më lehtë të arrihet marrëveshja politike për disa çështje të caktuara, ku dhe rezultati do të ishte më cilësor dhe në dobi të të drejtave dhe të interesave të qytetarëve.

“Me këtë do të garantohet prezantimi me kohë, i plotë dhe i besueshëm i informacioneve nga procesi i negociatave para qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në interes të rritjes së transparencës dhe besimit të qytetarëve në ketë proces. Do të mundësohet që qëndrimet e sektorëve të ndryshëm qytetar dhe komuniteteve të interesuara të prezantohen dhe të dëgjohen nga palët pjesëmarrëse në negociata”,- deklaroi Petrit Saraçini nga Sektori Civil.

“Lëvizja protestuese qëndron në dispozicion për të mundësuar shkëmbim të informacioneve mes organizatorëve të bisedimeve dhe palëve të interesuara për pjesëmarrje dhe të sigurojë diversitet dhe inkuzivitet. Qëndrojmë në dispozicion për t’u vendosur në kanal komunikues nëpërmjet të cilit të gjitha palët e interesuara do të mund t’i prezantojnë ekspertizat e tyre brenda afateve dhe procedurave të parapara ku i gjithë procesi do të jetë transparent dhe i hapur për opinion”,- tha Filip Jovanovski nga Sektori Civil.

Përfshirja e Sektorit Civil në bisedime nuk nënkupton mandat përfaqësimi ose përfaqësim të ndonjë trupi votues të qytetarëve.

Organizatorët e “Revolucionit laraman” thanë se me protestat në rrugë do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe praninë e tyre në procesin e bisedimeve. (Rexhep Qamili, TVM2)