Maqedoni

Monitorimi i mediave: mungesë e storjeve hulumtuese në mediat e vendit

07.07.2016 17:21

Storjet hulumtuese nuk janë prezente nëpër mediat e Maqedonisë. Vetëm 0.4% e teksteve janë hulumtuese...

Storjet hulumtuese nuk janë prezente nëpër mediat e Maqedonisë. Vetëm 0.4% e teksteve janë hulumtuese, ndërsa 4.6 janë analiza, tregojnë rezultatet e monitorimit që është bërë në 10 media të vendit nga marsi deri më maj të vitit 2016.
 
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, apelon për krijim të mundësive për të bërë gazetari të pavarur.   
 
“Pa angazhim të të gjitha autoriteteve të shtetit nuk është e mundur që të arrihet sukses. U kërkojmë të gjithëve, edhe politikanëve, të krijojnë mjedis për media të lira, informim të balancuar dhe debat të hapur, u apelojmë gazetarëve t’i respektojnë standardet profesionale”,- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
Sipas Sabina Fakiç nga Qendra për komunikim me qytetarët, storjet hulumtuese nuk janë në interes të redaksive nëpër televizionet dhe gazetat e vendit, pasi që edhe kur janë punuar tema hulumtuese, të njëjtat janë publikuar në fund të faqeve të gazetës, apo në fund të edicioneve informative.
 
Kjo ndodh për shkak të mungesës së kualitetit të atyre temave të punuara dhe për shkak të mungesës së burimeve. 
 
“Përfshirja e pakët e temave hulumtuese është shqetësuese, duke marrë parasysh faktin se janë mjeti më i fuqishëm që e kanë mediat për mbrojtje të interesit publik. Me përfshirjen e pakët mediat nuk punojnë për mbrojtjen e interesit publik, gjithashtu nuk kanë sukses të punojnë tema me interes, të kërkojnë llogari dhe të jenë kritike ndaj qeverisë”,- tha Sabina Fakiç nga Qendra për komunikim me qytetarët.  
 
“Nëse përqendrohemi në konstatimin kuantitativ, 0.4% tema hulumtuese, por lajmi i keq këtu nuk përfundon. Kur e analizojmë edhe kualitetin e storjeve të punuara, shikojmë se edhe nga ato 0.4% të temave të punuara, disa nuk kanë burime, nuk kanë fakte, janë të njëanshme, pra ata faktikisht nuk bëjnë pjesë në storje hulumtuese”,- tha Tamara Çaushidis nga BIRN.
 
Monitorimi mbështetet nga Bashkimi Europian dhe i njëjti do të zgjasë deri në vitin 2019. 
 
ERSAN PAJAZITI