Maqedoni

Takimi i Përzhinës, pushtetarët optimistë, lëvizje e vogël në qëndrimet

07.07.2016 18:05

Nga takimi i përfaqësuesve të partive politike në Përzhinë, vetëm partitë në pushtet, VMRO–DPMNE dhe BDI, dolën optimistë...

Nga takimi i përfaqësuesve të partive politike në Përzhinë, vetëm partitë në pushtet, VMRO–DPMNE dhe BDI, dolën optimistë, pasi që, sipas tyre, ka përafrim të vogël në qëndrimet.
 
VMRO gjatë takimit është shprehur e gatshme të pranojë kërkesën, siç shprehen jologjike dhe të panevojshme të LSDM-së, që 170 mijë votuesit të konstatohen si votues të diasporës dhe 39 mijë 502 të publikohen dhe ata që nuk do të lajmërohen të mos përfshihen në listën zgjedhore.
 
Në kompensim të kësaj, VMRO kërkon të pranohen kërkesat për mediat.
 
“Bëhet fjalë për fshirje të votuesve nga lista zgjedhore, por për të dëshmuar se LSDM ka gënjyer gjithë opinionin vendas dhe ndërkombëtarë sa i përket listës zgjedhore, ne e pranojmë këtë kërkesë të LSDM-së. Kërkojmë kompromis, por kompromisi të bazohet në disa parime themelore. Një nga parimet themelore që ne kërkojmë të respektohet është që as gazetari e as mediumet të mos dënohet për fjalën e thënë apo shprehjen e mendimit dhe dënimet mos të jenë mjet për disiplinimin e mediave”,- deklaroi Nikolla Todorov nga VMRO–DPMNE.
 
Për BDI-në është e papranueshme fshirja e votuesve nga lista zgjedhore.
 
“Mendoj që avancohen bisedimet, mendoj që mund të arrihet një rezultat i kënaqshëm për të gjitha palët në këtë drejtim. Ne mbetemi në qëndrimin që nuk guxojnë të fshihen votues që kanë të drejtën e votës dhe për qëllime politike nuk duhet të keqpërdoret e drejta e votës së qytetarëve”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
Përfaqësuesit e opozitës dhe ambasadorët, Bejli dhe Orav, nuk u prononcuan për rrjedhën e takimit. Por, nga LSDM nëpërmjet një komunikate thonë se në raundin e sotëm të bisedimeve nuk është arritur përparim.
 
“Koalicioni qeverisës nuk lejon pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat e vërteta në media. VMRO–DPMNE dhe Nikolla Gruevski në vazhdimësi ikin nga zgjedhjet fer dhe demokratike”,- thuhet në komunikatën e LSDM-së.
 
Përpjekjet e partive politike për arritjen e kompromisit pritet të vazhdojnë ditëve në vijim.
 
MERAL ISMAILI