Maqedoni
Kuvend, fillon debati për ribalancin e Buxhetit
07.07.2016 18:12
Komisioni për financa dhe buxhet filloi debatin për propozim ribalansin e Buxhetit për vitin 2016.

Projektimi i gabuar për rritjen e BPV-së në masën 4 për qind bëri të patjetërsueshëm korrigjimin e projeksioneve të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Sipas ministrit të Financave, Kiril Minovskit, në anën e të ardhurave ka ulje të projeksioneve për rreth dy për qind, ose për 3 miliardë denarë, përderisa në anën e shpenzimeve ka ulje për 804 milionë denarë.
“Janë siguruar mjete plotësuese në pjesën e transfereve sociale me qëllim të vetëm, për pagesë në kohë dhe të plotë të obligimeve ligjore në bazë të pensioneve dhe në bazë të kompensimeve për pushim të lindjes. Pastaj, sigurim i tërheqjeve plotësuese të mjeteve kreditore për pagesë në kohë të obligimeve që dalin nga ndërtimi intensiv i Korridorit 10, sigurim i mjeteve plotësuese për projektin për gazifikim në pajtueshmëri me aktivitetet në terren”,- deklaroi ministri i Financave, Kiril Minoski.
“Menaxhim i papërgjegjshëm prej kumarxhiu i financave publike”. Kështu e ka cilësuar ribalancin e buxhetit opozita maqedonase. Sipas tyre, me këto ndryshime qeveria rrit deficitin buxhetor për “çokollata” për qeverinë në dëm të rritjes ekonomike.
“Për ne është e papranueshme dhe e pakuptueshme që me ribalancin të rritet deficit për 36 milionë euro dhe për vitin 2016 ai të jetë 344 milionë euro, që paraqet deficitin e dytë më të madh në 25 vitet e kaluara, dhe në të njëjtën kohë shkurtojnë nga komponenta zhvillimore e buxhetit, përkatësisht nga të dalat kapitale të cilat i zvogëlojnë për 45 milionë euro. Duam t’ju pyesim publikisht pse e rritni deficitin buxhetor?”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Marjanço Nikollovski.
Për partnerin shqiptar në ekzekutiv me ribalancin bëhet korrigjim i vogël i buxhetit dhe nuk dëmtohen interesat e shqiptarëve. Sipas deputetit, Rexhail Ismaili, rreth 60 milionë denarët e tërhequra nga Sekretariati për zbatimin e MO-së kanë qenë të parapara për punësime të reja.
“Ajo bëhet si rezultat i asaj se, ne, këtë vit kishim paraparë zgjedhjet, dhe si rezultat i asaj u ndërprenë të gjitha aktivitetet rreth punësimeve të reja që duheshin ose që ishin të parapara për vitin 2016 të realizohen në Sekretariatin për zbatimin e MO-së”,- theksoi Rexhail Ismaili nga BDI.
Mirëpo, opozita shqiptare nuk ndan këtë bindje. Sipas deputetëve të PDSh-së, nga ribalanci pësojnë taksapaguesit shqiptarë, ndërsa qeveria po orientohet drejt huamarrjes publike dhe rritjes së borxhit publik.
“Nëse vazhdon ky trend i orientimit negativ të politikave fiskale të vendit, Maqedonia pas 5-6 vjet do të hy në grupin e shteteve të rrezikshme ose të ndishme, ku zhvillimet e ardhshme të politikave të integrimeve ekonomike të vendit do të vihen në pikëpyetje, d.m.th. politika integruese e vendit hyn në një fazë kritike”,- u shpreh Gazmend Aliu nga PDSh.
Me ribalancin rritet edhe deficiti buxhetor nga 3,2 për qind të projektuar me buxhetin në 3,6 për qind nga BPV-ja dhe do të arrijë 2,1 miliardë denarë.
Rishqyrtimi i deficitit buxhetor në nivel prej 3,6 për qind nga BPV-ja dhe servisimi i rregullt i obligimeve në bazë të borxhit vendor dhe të jashtëm planifikohet që të sigurohen nga burime vendore dhe të jashtme të financimit.
SHPËTIM NUREDINI
