Maqedoni

LSDM: testimi ekstern të hiqet tërësisht; VMRO-DPMNE: qëndrojmë fuqishëm prapa vlerësimit ekstern

07.07.2016 18:17

Ndryshimet në Ligjin për arsim të miratuara një ditë më parë në Kuvend e që kanë të bëjnë me testimin ekstern kanë ngjallur reagimin e LSDM-së...

Deputeti i socialdemokratëve, Vasko Kovaçevski, tha se testimi ekstern në vend që të ndërlikohet, duhet të hiqet tërësisht, sepse ndryshimet e reja ligjore, sipas LSDM-së, vetëm sipërfaqësisht mbulojnë problemet që ka shkaktuar VMRO-DPMNE-ja. 
 
“Pas të gjitha pasojave të dëmshme që i shkaktoi VMRO-DPMNE-ja arsimit me vlerësimin ekstern, filloi të tërhiqet. Me zgjidhjet e reja ligjore, VMRO-DPMNE nuk dëshiron dhe nuk mund të riparojë dëmet e shkaktuara. Dëshiron vetëm të zbuten pasojat pas rejtingut të tyre. Vendimi me të cilin ndryshohet koha e zbatimit të vlerësimit ekstern dhe zgjidhja e çuditshme që notat e testimit ekstern mos të shkruhen më në dëftesat e nxënësve, por në një shtojcë të veçantë të tyre është vetëm një mbulim sipërfaqësor i problemit”,- tha Vasko Kovaçevski nga LSDM.
 
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE-ja thonë se grupi parlamentar i LSDM-së, si rezultat i mosfuqisë së saj dhe mungesës së ideve për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, sërish kërcënon me politikën e saj destruktive dhe humbëse se do të bllokojë projekte pozitive dhe reformuese. 
 
“Ne qëndrojmë në mënyrë të vendosur prapa projektit "Vlerësimi ekstern", sepse besojmë fuqimisht se kjo do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe në vlerësimin real të njohurive të cilat i kanë fituar nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
 
Ne si deputetë do të vazhdojmë të luftojmë për realizimin dhe zbatimin e këtij projekti, sepse pikërisht vlerësimi objektiv i nxënësve nga ana e profesorëve ishte dhe ende paraqet problem në procesin arsimor, thuhet më tej në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
SANIJE DURAKU