Maqedoni
LASh: politika mos të bëjë ndryshime në ligj
07.07.2016 18:32
Ndryshimet në Ligjin për arsim të miratuara një ditë më parë në Kuvend për testimin ekstern...

Ndryshimet në Ligjin për arsim të miratuara një ditë më parë në Kuvend për testimin ekstern, që do të fillojë nga klasa e gjashtë, nuk janë mirëpritur nga Unioni i nxënësve dhe Lidhja e arsimtarëve shqiptarë.
Nga LASh-i theksojnë se ndryshimet që u bënë në Ligjin për arsim nuk janë të sqaruara si duhet dhe nga kjo shoqatë kërkojnë që politika mos të bëjë ndryshime në Ligjin për arsim.
“Këtu ka shumë paqartësi dhe kjo është sjellë në mënyrë të përshpejtuar, sepse nuk ka pasur debat publik, sepse unë çdo herë do të kërkoj të bëhet një debat publik nëpër shkolla, nëpër institucione, jo të bëhet që politika të bëjë ndryshime në ligje. Sepse kështu do të thotë kur ndryshojnë vetëm deputetë, do të thotë shkon procedurë vetëm të deputetëve dhe kjo do të thotë sikurse politika e bën ndryshimin. Arsimi është i depolitizuar dhe arsimi i bën ato ndryshime pa marrë parasysh fillor apo sipëror”,- tha kryetari i LASh-it, Nuhi Dardhishta.
Unioni i nxënësve kërkon tërheqjen e plotë të testimit ekstern si dhe të ndryshime të tilla ligjore, pasi paraqesin joseriozitet si dhe një lojë të vjetër nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe nxënësit nuk mund t’i përdorin si mjet eksperimental.
“Ne si union i nxënësve e dënojmë këtë lojë që e përdor institucioni, siç është Ministria e Arsimit, dhe do të qëndrojmë prapa premtimit që na i ka dhënë zotëri Pishtar Lutfiu, ku na tha që vitin e ardhshëm do të largohet tërësisht. Vitin e ardhshëm edhe ne do të këmbëngulin që këtë premtim që na i dha ministri të realizohet, dhe këto ndryshime le të mbeten si reklamë e institucioneve siç është Ministria e Arsimit”,- tha Majlinda Qilafi nga Unioni i nxënësve.
Gjithashtu edhe Plenumi i shkollave të mesme ka reaguar lidhur me ndryshimet që i miratoi Kuvendi për testimin ekstern, duke thënë se ato nuk pranojnë pazarllëqe dhe kërkojnë testimi ekstern të tërhiqet tërësisht.
REJHANE BUSHI-METAJ
