Grup i OJQ-ve: Reforma urgjente demokratike
Masa për zbatimin e reformave urgjente të cilat do të krijojnë kushte për zgjedhje të lira...

Masa për zbatimin e reformave urgjente të cilat do të krijojnë kushte për zgjedhje të lira, korrekte dhe kredibile, kërkojnë një grup i organizatave qytetare dhe ekspertëve, përmes të cilave ata synojnë të kthejnë standardet dhe vlerat demokratike të Maqedonisë.
Theksi kryesor iu vu punës se Prokurorisë Speciale, ku përveç kërkesës për vazhdimin e afatit për dorëzimin e lendëve, OJQ-të kërkojnë për PSP-në edhe buxhet të pavarur.
“Masat tona nuk janë të fokusuara vetëm në ndryshimet ligjore për PSP-në në kuptimin e vazhdimit të afatit për dorëzimin e akuzës, i cili deri tani ishte 15 muaj, ne propozojmë që ai afati të jetë 24 muaj. Gjithashtu kërkojmë që PSP të ketë buxhet të pavarur, me çka qeveria nuk guxon në asnjë mënyrë të marrë pjesë në konceptimin e buxhetit, si dhe kërkojmë që ky organ të jetë i përhershëm. Gjithashtu kërkojmë që në Këshillin gjyqësor të zgjidhen anëtarë të ri dhe të forcohen kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit gjyqësor”,- deklaroi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Funksionimi i gjykatave në Maqedoni është në nivel jo të mirë, andaj themelimi i një departamenti special është i patjetërsueshëm.
“Puna e deritanishme e gjykatave dhe gjykatësve nuk tregoi pavarësi dhe paanshmëri, sidomos në pjesën e masave të propozuara dhe në pjesën e argumenteve për vendimin e sjellë”,- tha ekspertja gjyqësore, Margarita Caca-Nikollovska.
“E shfrytëzojmë këtë ngjarje që t’u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin këtë nismë tonën dhe ta pranojnë si platformë për reforma demokratike, të cilat janë të domosdoshme për përparimin e mëtejshëm të shtetit”,- theksoi Aleksandar Jovanovski nga Instituti për politikë europiane.
Masa tjera të rëndësishme për reforma demokratike janë kthimi i disiplinës fiskale, lufta kundër korrupsionit, pavarësia e servisit publik, reformat në KShZ, pastrimi i listës zgjedhore si dhe masat për mbrojtje sociale etj. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)
