Maqedoni

BB dhe mbështetja e projekteve madhore, autostrada Shkup-Bllacë prioritet i ministrit Kuçi

08.07.2016 17:57

Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë dhe ndërtimi i infrastrukturës për kyçjen e zonës së lirë ekonomike në Tetovë...

Ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë dhe ndërtimi i infrastrukturës për kyçjen e zonës së lirë ekonomike në Tetovë me autostradën Shkup-Tetovë, janë dy prioritetet për të cilat është angazhuar ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
 
Ai gjatë takimit me drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore, Marko Mantovanelli, ka kërkuar ndihmë për realizim e projektit të autostradës Shkup-Bllacë, pasi që e njëjta do të jetë edhe në dobi të bizneseve që gravitojnë në zonën e lirë ekonomike të Vizbegut.   
 
“Kërkova që bashkëpunimi në të ardhmen të vazhdojë me mundësinë për realizimin e projektit të autostradës Shkup-Bllacë, i cili është i dobishëm për Maqedoninë dhe Kosovën, për qytetarët dhe bizneset e dy vendeve, dhe sidomos për bizneset që veprojnë në zonën industriale të Vizbegut, ku punojnë mbi 5000 njerëz dhe ka qarkullim qindra-milionësh në nivel vjetor”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
 
Me rëndësi të madhe, sipas ministrit Kuçi, është përshpejtimi i kyçjes së Zonës së Lirë të Tetovës me autostradën Shkup-Tetovë, andaj ai pret që Banka Botërore të ndihmojë në këtë drejtim.
 
“Kërkesa tjetër ishte mbështetja e Bankës Botërore për përshpejtimin e infrastrukturës për kyçjen e Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë me autostradën Tetovë-Shkup, mbështetje për revitalizimin e dyqaneve në Çarshinë e Vjetër, si dhe vazhdimin e projektit për implementimin e masave për efikasitet energjetik”,- tha ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi.
 
Ministri Kuçi shprehet optimist se do të marrë ndihmën nga ana e Bankës Botërore, për shkak se bashkëpunimi reciprok me Bankën Botërore daton që më herët.
 
Me ndihmën e Bankës Botërore janë realizuar shumë projekte në sferën e efikasitetit energjetik, me ç’rast janë rinovuar 42 objekte të shkollave fillore dhe çerdheve, projekt ky që kapi vlerën prej 42 milionë denarë.
 
ERSAN PAJAZITI