Botë
Samiti i Varshavës, dyert e NATO-s të hapura për zgjerim
08.07.2016 18:04
Mbrojta e njerëzve, vlerave dhe kufijve të NATO-s dhe jashtë saj bëhet vetëm përmes dialogut...

Mbrojtja dhe siguria arrihet me përforcimin e kapaciteteve ushtarake, vullnetit politik dhe resurseve financiare. Kështu ka vlerësuar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Samitin e NATO-s në Varshavë.
Këto hapa të ardhshëm të përcaktuar në këtë Samit do të kërkohen vetëm përmes dialogut, si me Lindjen ashtu edhe me fqinjin e NATO-s, Rusinë, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.
“Pozicioni ynë është i qartë. NATO nuk dëshiron konfrontim të ri, nuk duam luftë të re të ftoftë, ajo ishte histori dhe mbetet aty. Do të vazhdojmë të gjejmë dialog konstruktiv me Rusinë, për t’i bërë qëllimet tona të qarta, për të reduktuar rrezikun që incidentet ushtarake të dalin jashtë kontrollit. Rusia është fqinji ynë më i madh dhe një pjesë përbërëse e sigurisë së Europës. Për këtë arsye, mbështetja e dialogut është thelbësor”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Për të përforcuar bashkëpunimin mes tyre, zyrtarë të NATO-s dhe BE-së nënshkruan platformë politike për mbrojtje ushtarake nga Lindja, që sipas tyre kjo marrëveshje do të kontribuojë në përforcimin strategjik të dy organizatave, respektivisht për shmangie nga çdo lloj kërcënimi të mundshëm mbi sigurinë dhe paqen.
“Kemi nënshkruar marrëveshje strategjike mes NATO-s dhe BE-së. Edhe pse jemi dy organizata të ndryshme, kur bëhet fjalë për kërcënime, nuk mund të sillemi sikur jemi nga planetë të ndryshëm”,- tha kryetari i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Sa i përket zgjerimit të paktit veri-atlantik, hyrja e Malit të Zi në NATO vërteton se procesi i zgjerimit mbetet konstant, ndërkaq Mali i Zi, sipas zyrtarëve të NATO-s, do të bëhet anëtare fuqiplote kur t’i përfundojë ratifikimet e dokumenteve adekuate me të gjitha vendet anëtare të aleancës.
Maqedonia në Samit përfaqësohet në nivel ministrash. Ministri i Mbrojtës ka thënë se Maqedonia meriton anëtarësim të plotë në NATO, marrë parasysh implementimin e reformave, pjesëmarrjen në misionet paqësore, si dhe ndarjen e vlerave të njëjta të Maqedonisë me NATO-n.
MERAL ISMAILI
