Maqedoni
Strugë, pesë shtëpi nën flakët e zjarrit, nuk ka dëme në njerëz
08.07.2016 18:10
Zjarrfikësit nga Struga dhe Ohri për dy orë të tëra luftuan me zjarrin, i cili u shkaktua në qendër të Strugës pas Hotelit “Beograd”...

Më shumë se pesë shtëpi u kapluan nga zjarri i fuqishëm pasditen e sotme. Shkaqet e zjarrit ende nuk janë të njohura. Flakët e mëdha të zjarrit, përveç dëmeve të mëdha materiale, fatmirësisht nuk shkaktuan viktima.
Pesë persona, pronarët e shtëpive, kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga vala e të nxehtit dhe stresi i mbijetuar, por për fat të mirë nuk ka asnjë të plagosur.
Njoftohet vetëm për tre persona të cilët janë alivanosur, gjendja e të cilëve është stabile menjëherë pas dhënies së ndihmës mjekësore.
Zëdhënësi i SPB–Ohër, Stefan Dimoski, ka deklaruar se nuk ka informacione për personat e alivanosur se a kanë qenë brenda ndonjë objektit që e ka kapluar zjarri, apo kanë qenë diku afër zjarrit dhe nga goditja e nxehtë e zjarrit janë alivanosur.
Gjatë shuarjes së zjarrit kanë marrë pjesë zjarrfikës nga Struga dhe Ohri, por edhe qytetarë të cilët janë ndodhur aty për momentin.
Deri më tani nuk ka informacione për persona të lënduar nga zjarri, por as shkaqe për shkaktimin e zjarrit. Bëhet fjalë për shtëpi të tipit kompakt, andaj dhe depërtimi deri në vendin e ngjarjes për të intervenuar ka qenë i vështirë.
Sipas dëshmitarëve, flaka është përhapur shpejt, me ç’rast u dogjën pesë shtëpi afër njëra-tjetrës.
GAZMEND KURTISHI
