Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, Komisioni hedh poshtë amendamentet e opozitës
08.07.2016 18:19
“Amendamenti nuk pranohet!”,- tha ministri i Financave, Kirill Minoski...

Komisioni për financa vazhdoi debatin rreth amendamenteve për propozim-rebalancin e buxhetit të vitit 2016.
Ashtu si edhe në miratimin e buxheteve paraprake dhe rebalancëve të tjera, edhe gjatë këtij rebalanci ministri i Financave dhe shumica parlamentare hedhin poshtë thuaja të gjitha amendamentet e propozuara nga opozita.
Për refuzimin e amendamenteve të PDSh-së, deputetët e kësaj partie akuzuan BDI-në. Sipas tyre, partia shqiptare në pushtet lejon që përmes buxhetit shqiptarëve t’u vidhen nga një miliardë euro në vit.
“Amendamentet tona kanë të bëjnë me çdo sferë të jetës së shqiptarëve dhe të kishte sadopak njerzillëk po edhe ndjenja kombëtare te këta të BDI-së, këto amendamente që moti do të ishin bërë projekte të realizuara, sepse amendamentet e e PDSh-së në radhë të parë janë të arsyeshme, nevojë e vërtetë që kanë qytetarët dhe shqiptarët dhe amendamente që sigurojnë kushte elementare për jetesë”,- deklaroi deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
Opozita shqiptare ka propozuar disa qindra amendamente, ndërsa opozita maqedonase e bojkoton punën e Kuvendit, rrjedhimisht edhe debatin rreth rishikimit të buxhetit.
Ndryshe, sipas ekzekutivit dhe shumicës parlamentare, nuk bëhet fjalë për ndryshime serioze në buxhet.
Me rebalancin parashikohet ulje e rritjes së BPV-së prej 4 në 2,3 për qind për shkak të krizës politike, ndërsa investimet kapitale mbeten në nivel të lartë dhe të gjithë projektet e parapara, siç paralajmëroi ministri i Financave, Kirill Minoski, do të vazhdojnë të realizohen.
Propozuesi siguron se me rebalancin janë paraparë edhe mjete për pagesë të pagave, pensioneve, transfereve sociale dhe për subvencione për bujqit.
SHPËTIM NUREDINI
