Maqedoni
Komuna e Gostivarit dhe RDK shënojnë 19 vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut
09.07.2016 18:11
Sot, në 19 vjetorit e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut të vitit 1997...

Sot, në 19 vjetorit e ngjarjeve të përgjakshme të 9 Korrikut të vitit 1997, një delegacion i Komunës së Gostivarit i drejtuar nga kryetari Nevzat Bejta dhe kryetari i Këshillit Komunal Nasir Musliu, bënë homazhe në varrezat e dëshmorëve të flamurit kombëtar, Shpend Iseini dhe Nazmi Saliu.
Fillimisht, delegacioni qëndroi në fshatin Turçan të Vogël ku bashkë me familjaret dhe bashkëfshatarët vendosën lule të freskëta mbi varrin e dëshmorit Nazmi Saliu. Delegacioni i Komunës së Gostivarit homazhet i vazhdoi në fshatin Forinë tek vendprehja e dëshmorit Shpend Iseini.
Në shoqëri të familjarëve dhe banorëve vendas, kryetari Nevzat Bejta u shpreh që përkujtimi i dëshmorëve të 9 Korrikut mbetet obligim institucional i Komunës së Gostivarit, nga shkaku se dëshmorët flijuan jetën e tyre për të mbrojtur flamurin kombëtar i cili tani pas 19 vitesh qëndron para objektit të Komunës së Gostivarit, pikërisht në vendin ku në vitin 1997 shteti e largoi në mënyrë të dhunshme.
“Ne si përfaqësues institucioni të zgjedhur nga shumica e popullit, e kemi për obligim që të nderojmë dëshmorët e kombit, dhe me këtë familjet e tyre dhe gjithë veprimtarët e kombit që flijuan jetën për të mirën e kombit që i takojmë. Me mbështetjen e popullit shqiptar jemi të zgjedhur për të punuar në të mirë të shoqërisë sonë dhe e kemi për obligim që amanetin e dëshmorëve ta çojmë në vend. Koha është duke punuar në të mirën e shqiptarëve, dhe këtë proces nuk mund ta ndalojë askush”, tha Nevzat Bejta, kryetar i Gostivarit.
Edhe Rilindja Demokratike Kombëtare shënoi 19 vjetorin e ngjarjeve të 9 korrikut të vitit 1997, një datë që do të ngeli në kujtesën e qytetarëve të Gostivarit dhe shqiptarëve në përgjithësi si një datë e sakrificës dhe guximit në mbrotje të flamurit kombëtarë.
“Amaneti i dëshmorëve të 9 korrikut dhe shumë dëshmorëve tjerë vazhdon të ngeli i parealizuar, dhe kërkohet një angazhim dhe sakrificë sublime e gjeneratës së re për të realizuar këtë amanet, sidomos tani kur bëhet fjalë për një krizë më të thellë shoqërore dhe politike. Le të jetë ky përvjetor i 19 një frymëzim shtesë i kësaj gjenerate, për realizimin e amanetit të të gjith dëshmorëve të kombit në përgjithësi”, tha Vesel Memedi, kryetari i RDK-së.
Kryetari i RDK-së Vesel Memedi, sëbashku me shumë antarë tjerrë, këshilltarë në këshillin komunal, vendosën buqet me lule të freskëta në varezat dhe bustet e tri dëshmorëve të rënë në mbrotje të flamurit kombëtarë.
LULZIM HAZIRI
