Maqedoni

Varshavë, Maqedonia në NATO pasi ta zgjidh krizën politike dhe çështjen e emrit

10.07.2016 15:08

Kriza politike në Maqedoni po e largon vendin nga NATO...

Ky është mesazhi nga deklarata përfundimtare e Samitit të Aleancës që po mbahet në Varshavë, në të cilën përsëritet konkluzioni nga Samiti i Bukureshtit, se ftesë për Maqedoninë do të ketë menjëherë sa të zgjidhet çështja e emrit. 
 
“E përsërisim vendimin tonë nga samiti i Bukureshtit në vitin 2008, i cili është përsëritur edhe në samitet e ardhshme të NATO-s, se dërgojmë ftesë për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë për anëtarësim në NATO sapo të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për kontestin me emrin. Prandaj, ne nxisim fuqimisht përpjekjet e intensifikuara për të gjetur një zgjidhje për kontestin. I inkurajojmë përpjekjet e mëtejshme për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinje”, shkruan në konstatimin numër 114 të komunikatës përfundimtare të samitit.
 
Për dallim nga konkluzionet e Samitit në Uells dy vite më parë, ku pranimi kushtëzohej vetëm me zgjidhjen e çështjes së emrit, në deklaratën nga Varshava për vendin, përpos zgjidhjes së çështjes së emrit, kërkohen përpjekje shtesë për zbatim të reformave në sferën e gjyqësisë dhe mediave dhe plotësimin e marrëveshjes së Përzhinës.
 
“I pranojmë hapat e parë të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe e ripërtërijmë thirrjen tonë për të gjitha palët që të angazhohen në dialog efektiv demokratik për t’u përgatitur zgjedhje të besueshme, të përforcohet sundimi i ligjit, liria e medias dhe pavarësia e gjyqësisë. Ne do të vazhdojmë ta monitorojë nga afër progresin e Shkupit në këto fusha, të cilat janë pjesë e vlerave themelore të NATO-s“, shkruan në pjesën e konkluzioneve të dedikuara për Maqedoninë. 
 
Në fund, NATO ka shprehur mirënjohje për angazhimin e Maqedonisë për sigurinë ndërkombëtare dhe kontributin e vendit në misionet e NATO-s, pjesëmarrjen në dialogje dhe proceset rajonale të bashkëpunimit dhe angazhimin në procesin e zgjerimit të NATO-s.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU