Maqedoni
Ivanov u prezantua në Strumicë dhe Vallandovë
01.04.2014 18:09
Kandidati për kryetar i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Strumicë dhe Vallandovë...

Kandidati për kryetar i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Strumicë dhe Vallandovë. Strumica gjithmonë ka pasur njerëz punëtorë, për atë dhe kam nderin të jem sonte me ju, ka thënë Ivanov, para qytetarëve të Strumicës.
Ai me këtë rast, i falënderoi ata për përkrahjen që ia dhanë para 5 viteve. Ivanov njëherit nënvizoi se në mandatin e deritanishëm si kryetar i Maqedonisë, ka bërë politikë të hapur, dialog dhe bashkëpunim me të gjithë fqinjët dhe premtoi se nëse merr edhe një mandat, do të punojë edhe më tutje me përkushtim në punën e tij. Strumica si vend në afërsi të kufirit, e din se çfarë domethënie ka të kemi marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Ai para qytetarëve të Strumicës, numëroi sukseset dhe të arriturat edhe në sferën e ekonomisë.
Në Maqedoni është investuar shumë në periudhën kur e tërë bota ishte e tronditur nga kriza ekonomike. Në shumë fusha janë krijuar kushte më të mira për investime dhe kjo është arsyeja pse investitorët e huaj zgjedhin Maqedoninë për të investuar dhe hapin vende të reja pune. Sipas Ivanovit, politika nuk matet me fjalë të mira dhe premtime boshe, por ajo sipas tij, matet me hapjen e vendeve të reja të punës dhe për atë na respektojnë qytetarët.
Kam marrë pjesë në shumë projekte të qeverisë dhe kam dhënë përkrahjen time, sepse ajo është në interes të të gjithëve dhe të njëjtën do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen. Ai gjithashtu para qytetarëve të Strumicës, përmendi dhe çështjen e emrit të Maqedonisë, e cila tani më një kohë të gjatë paraqet pengesë për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Sipas Ivanovit, janë qytetarët ata të cilët do të vendosin për çështjen kombëtare, teksa përmendi se ndryshime kushtetuese për çështjen e emrit, nuk do të ketë.
“Gjithçka që është thënë, është përmbushur edhe më tepër nga e planifikuara. Duke pasur besimin tuaj, me dinjitet kam përfaqësuar Maqedoninë në të gjitha vendet ku kam qenë. Jam takuar me qindra krye-shtetas në botë dhe gjithmonë kam shfrytëzuar mundësinë të jem edhe me qytetarët e Maqedonisë. Ka pasur disa që para 20 viteve dyshonin nëse Maqedonia do të mbijetojë dhe ja, kaluan 23 vite, Maqedonia jo vetëm që është e suksesshme, por dhe e pranuar dhe e respektuar. Qytetarët përkrahin atë që është në interes të Maqedonisë, për atë dhe qytetarët përkrahin partitë dhe opsione të ndryshme politike, por kur bëhet fjalë për Maqedoninë, atëherë nuk ka as parti e as opsione tjera politike. T’i përkujtojmë ata që flasim, se jemi një popull dhe për një popull punojmë, popullin e Maqedonisë. Punojmë për çdo qytet, për çdo fshat në Maqedoni. Shtëpia jonë quhet Maqedoni dhe të gjithë jemi të obliguar të ruajmë dhe të ndërtojmë atë, sepse çfarë shteti do të ndërtojmë ashtu dhe do ta kemi. Nuk do të pranojmë ndryshime në kushtetutë, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk do të pranoj ide ose propozime të cilat do të cenonin dhe rrezikonin identitetin kombëtar të Maqedonisë, veçanërisht të kombit maqedonas, gjuhën dhe mënyrën e bashkëjetesës. Nuk do të lejojmë që Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, të mos jenë vetvetja. Qytetarët e Maqedonisë vet vendosin për çështjen e tyre kyçe kombëtare. Askush përveç qytetarët e Maqedonisë nuk ka të drejtë të vendosë për emrin e vendit tonë, Maqedoninë. Askush përveç popullit të Maqedonisë nuk ka të drejtë të vendosë për ardhmërinë e vendit dhe për çdo vendim do të deklarohen qytetarët me referendum. Maqedonia ndërtohet e përkushtuar, Maqedonia ndërtohet bashkërisht, që të mund fëmijët tanë bashkërisht të shoqërohen, të jetojnë, të punojnë, të krijojnë familje dhe të përparojnë. Bashkërisht i mbrojmë interesat e shtetit dhe krijojmë ardhmërinë tonë. Bashkërisht jemi më të fortë edhe si komb, por edhe si shtet. Gëzohem kur shoh sukseset e sportistëve tanë. Ajo është një leksion kur punohet në ekipe, pasi që ekipi gjithmonë fiton dhe vijnë sukseset, por mos t’i harrojmë edhe këngëtarët tanë, të cilët na bëjnë krenar kur këndojnë këngë nga Maqedonia dhe përfaqësojnë atë në botë. Kjo është një Maqedoni e suksesshme si në sport, kulturë, bujqësi, industri, arsim etj.
Ivanov, gjatë tubimit të tij në Vallandovë, para të pranishmëve, tha se kanë kaluar 30 vite që kur është shpërngulur nga Vallandova, por për të është nder që rrjedh nga ky rajon. Ai tha se asnjëherë nuk ka sulmuar askënd, por që vazhdimisht sulmohet nga oponentët e tij politik.
“Dëshiroj t‘ju flas në dialektin e Vallandovës, por nuk dua që nga shtabi i kandidatit të opozitës t’i regjistrojnë gabimet gramatikore. Ngase shumë herë e më shumë i kanë parë fjalimet e mia që të gjejnë diçka që të më sulmojnë. Asnjëherë për këto pesë vite, askënd nuk kam sulmuar. Por tani do tu them vazhdoni lirisht me të njëjtin intensitet, sepse sa më shumë që më sulmojnë, rritet përkrahja e qytetarëve ndaj meje. Të tillë kanë qenë para pesë vitesh ashtu janë edhe tani. Por ata le të vazhdojnë të flasin dhe të sulmojnë, ndërsa ne do të punojmë me përkushtim për Maqedoninë. Më vjen mirë që të gjithë në Maqedoni e njohin këtë përkushtim dhe besimi i qytetarëve në institucionin kryetar shteti, ka arritur në 56%. Përqindja më e lartë deri më tani ,74%, nga qytetarët në Maqedoni konsiderojnë se me ndershmëri e kryej funksionin tim. Përderisa oponentët e mi politik më nënçmonin, sulmonin dhe shpifnin kundër meje, në botë e dinë rëndësinë time. Ivanov para banorëve të Vallandovës, përmendi se është profesor-nderi në shumë universitete botërore, është anëtarë i Akademisë Evropiane për Shkencë dhe Arte dhe anëtar i Akademisë Botërore për Shkencë dhe Arte. Ivanov njëheri shtoi se deri më tani ka marrë një numër të madh të mirënjohjeve nga institucione ndërkombëtare dhe medalje. Këtë fakt e kanë të njohur qytetarët e Maqedonisë, por edhe jashtë saj. Kështu është kur punohet në favor të qytetarëve të Maqedonisë, tha ai. “Ne punojmë në ekip. Ekip që korr fitore, që sjell investime të huaja, që të ndërtohen autostrada dhe fabrika në Maqedoni. Kjo është fytyra e re e Maqedonisë, kur të rinjtë kryesuar nga Nikolla Gruevski, vendosën që të ndryshojnë Maqedoninë. Për këtë arsye, unë jap përkrahjen time dhe çdo masë reformuese e ka përkrahjen time”, shprehet ai.
Kandidati i VMRO-DPMNE-së, Ivanov, me këtë rast, para të pranishmëve në Vallandovë, numëroi edhe të arritura dhe suksese të shumta në të gjitha fushat. Ai gjithashtu nuk ngurroi të përmend edhe investimet e ardhshme të parapara në Vallandovë. Një kompani e huaj tani më ka marrë koncesion që të hap xehtore të arit. Ari, bakri dhe argjendi, do të jenë elementet që do t’i posedojnë xehtoret e Vallandovës. Ai përmendi edhe aktivitetet të cilat aktualisht po zhvillohen në këtë qytet, si: asfaltimi i rrugëve, renovimi i shkollave dhe përmirësimi i infrastrukturës në Vallandovë. “Për këtë arsye kam sjellë ambasador në Vallandovë, t’i shohin potecialet e Maqedonisë, kam sjellë para jush edhe kryetarin serb, Nikolliq në Vallandovë.
Më thonë se po përcjellë manifestime të tilla në vende ku pihet rakia. Unë iu përgjigjem se ku është populli jam edhe unë. Aty ku janë qytetarët të cilët respektojnë zakonet, traditat e tyre, aty jam edhe unë. Për këtë arsye ju më keni zgjedhur. Që unë të jem zëri juaj”.
Ai tha se po bëjnë gjithçka që ata të cilët janë shpërngulur nga Maqedonia, të kthehen sërish në Maqedoni. Të shohin se si gjatë krizës ekonomike botërore që nga viti 2008, kur shumë ekonomi të fuqishme rënde e përballonin këtë krizë, Maqedonia shënoi suksese. Rezultate të cilat i shënojnë institucionet më kompetente në botë, të cilat i ndjekin të gjitha ndryshimet dhe thonë se Maqedonia po shënon suksese.
Na kanë kritikuar për gjithçka. Thonë se në vendin tonë nuk ka të drejta të njeriut, por Maqedonia është anëtare e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut. Na kritikojnë se në Maqedoni nuk ka liri të mediave. Cili shtet ka më shumë media se Maqedonia. Por siç thashë, ne punojmë për të ndërtuar një Maqedoni me standarde dhe kritere të larta, tha Ivanov. Ai më tej para banorëve të Vallandovës, shtoi se ndonëse na kanë bllokuar në rrugën tonë drejt Evropës, ne nuk dorëzohemi.
Ai përmendi se deri më tani Maqedonia ka pasur pesë raporte dhe pesë rekomandime për fillimin e negociatave me BE-në dhe liberalizimin e vizave. Maqedonia nuk ka kohë për të humbur, Maqedonia ndërton Evropën në Maqedoni. “Mund të shihni aerodrome evropiane, institucione dhe standard evropiane tek prodhimet tona, të cilat importohen nga Maqedonia. Investohet intensivisht edhe në bujqësi. 500 milion euro janë investuar në bujqësi, është investuar edhe në sferën e arsimit. Këta njerëz të arsimuar marrin përvoja nga universitete botërore.
Maqedonia po shënon progres në çdo sferë, tha Ivanov, ashtu siç sportistët fitojnë dhe na bëjnë të ndjehemi krenar, ashtu siç edhe këngëtarët gjithkund e përfaqësojnë vendin tonë dhe në këtë mënyrë po shënon suksese gjenerata e re në Maqedoni, e cila e di se çfarë dëshiron”, u shpreh Ivanov. (Florije Kamberi)
