Botë
Nuland në Kosovë me porosi: Luftoni korrupsionin, ratifikoni demarkacionin
10.07.2016 17:40
Diplomatja e lartë amerikane erdhi në Kosovë duke dhënë porosi të qarta për politikanët kosovarë...

Në takimet me zyrtarët më të lartë shtetërorë të vendit ajo e ritheksoi atë që Ambasada Amerikane në Kosovë e ka thënë disa herë.
Sipas Viktoria Nuland, lufta kundër korrupsionit duhet të bëhet më e fortë dhe e dukshme. Bazuar në deklaratat e lëshuara nga zyrat e presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, Nuland citohet të ketë kërkuar veprime konkrete dhe lëvizje para vjeshtës.
Një prej tyre është edhe ratifikimi i demarkacionit. Por ajo që ka rënë shumë në sy gjatë kësaj vizite disa orëshe në Prishtinë është bojkotimi total që diplomatja amerikane i bëri opozitës kosovare.
Derisa në Tiranë takoi liderët shtetërorë të Shqipërisë, përfshirë edhe liderin opozitar, Lulzim Bashën, ajo në Prishtinë shmangu drejtuesit e tri partive opozitare.
Madje për këtë mos takim, edhe pse është zbardhur disa ditë më herët agjenda e takimeve, nuk ka pasur asnjë reagim nga zyrtarët e këtyre partive.
Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, deklaroi sot për Express se s’e nuk e di pse Ndihmës Sekretarja Amerikane, Victria Nuland s’e takoi Ramush Haradinajn, Visar Ymerin e Fatmir Limajn.
Por ai tha se është me rëndësi shumë përkrahja e SHBA-së për stabilitet në Kosovë dhe Ballkan. Është e sigurt se në takimet e Nuland me zyrtarët e Kosovës krye temë ishte lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit që i është bërë edhe vërejtje Qeverisë.
Pavarësisht kësaj, Isufi ka thënë se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë për demarkacionin për shkak se janë të sigurt për gabimin e Komisionit Qeveritar që nuk përcakton vijën e drejtë kufitare me Malin e Zi.
