Maqedoni

Ish-zëvendësi i Blair: Pushtimi i Irakut i jashtëligjshëm

10.07.2016 19:32

Ish-zëvendëskryeministri britanik, John Presccot ka thënë se pushtimi i Irakut në vitin 2003 ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ishte “i jashtëligjshëm”...

Një hetim shtatë vjeçar i publikuar së fundi për këtë çështje ka arritur në përfundim se arsyetimi, planifikimi dhe trajtimi që i ka bërë luftës së Irakut ish- kryeministri britanik, Tony Blair përmbanin një mori dështimesh, por ky raport nuk thotë nëse lufta ishte e jashtëligjshme.
 
Presccot, që ka qenë zëvendësi i Blairit gjatë kohës kur bëhej pushtimi, e ka publikuar një opinion në gazetën “Sunday Mirror” duke thënë se ai duhet të jetojë me “vendimin katastrofal” të pushtimit të Irakut për gjithë jetën e tij.
 
Presccot gjithashtu ka thënë se ai tashmë e ka ndryshuar qëndrimin e tij rreth ligjshmërisë së luftës ndërsa ka kritikuar Blairin që iu kishte ndaluar ministrave të tij për ta diskutuar paraprakisht nëse lufta do të ishte e ligjshme.
 
Lufta në Irak ka marrë jetën e 179 ushtarëve britanikë dhe mbi 150 mijë civilëve irakianë në periudhën gjashtëvjeçare pas pushtimit. Presccot ka thënë se e përkrahë vendimin e liderit të laburistëve, Jeremy Corbyn për të kërkuar falje për luftën në emër të partisë./Ora News