Maqedoni
Fushata “Jo presidentit të njëanshëm” në Çair
01.04.2014 18:13
“Çairi nuk njeh president”, me këtë parullë simpatizantët dhe anëtarët e BDI-së në Çair...

“Çairi nuk njeh president”, me këtë parullë simpatizantët dhe anëtarët e BDI-së në Çair, i dhanë mbështetje fushatës së kësaj partie “Jo presidentit të njëanshëm”. Katër kandidatët për president nuk janë më konsezualitet dhe aspak nuk përfaqësojnë zërin dhe vullnetin e shqiptarëve, thonë nga BDI. Qëndrimi i tyre është i prerë dhe i vendosur.
“Nuk ka kthim prapa, presidenti i përbashkët është zgjidhja më e mirë dhe shkon në favor të të gjitha etniteteve në vend”, theksuan nga kjo parti.
Presidenti konsezual do të thotë guxim polik, për tu sqaruar njëherë e përgjithmonë se Maqedonia është edhe e shqiptarëve. Shqiptarët nuk durojnë më president apo udhëheqës të njëanshëm, thanë nga BDI, të cilët ua bënë me dije kundërshtarëve se “Jo për presidentit të njëanshëm” do të thotë edhe diaspora shqiptare.
“Në këtë Maqedoni o do jemi të barabartë, o ndryshe nuk bëhet. Dhe ata të tjerët kur takohen në restorantet e Shkupit dhe kur marrin urdhrat nga patronët e tyre në Sushiko, dalin me kandidat i cili edhe vetë personalisht e din se nuk ka gjasa për të fituar, por ka dalë Iljaz Halimi me të vetmin qëllim, që ta legjitimojë Ivanovin, që ta legjitimojë procesin anti-shqiptar. Andaj sot, nga Çairi i Shkupit, themi se ne do t’i bojkotojmë jo vetëm zgjedhjet presidenciale, por do ta bojkotojmë çdo institucion i cili është i njëanshëm, i cili nuk do të ketë legjitimitetin dhe vullnetin e shqiptarëve....”, deklaroi Izet Mexhiti nga BDI.
“Nëse nuk ka kandidat për president, i cilit do t’i thotë po Bashkimit Demokratik për Integrim, ne do japim grusht me datën 13, andaj jemi këtu për t’i thënë jo presidentit”, theksoi shefi i Shtabit Zgjedhor në Çair, Bekim Neziri.
Shqiptarët kanë pasur dhe kanë kapacitet për të udhëhequr institucionet e larta të shtetit, siç janë presidenti i shtetit, Kryeministria apo kryetari i Kuvendit dhe këtë gjë e kanë dëshmuar me ministrat e deritanishëm të BDI-së, të cilët i kanë drejtuar dikasteret e shtetit, u potencua para qytetarëve të Çairit. (Rexhep Qamili, TVM2)
