Botë
Turqi: Arrestohen edhe 7 të dyshuar për sulmet në Stamboll
11.07.2016 11:32
Autoritetet e Turqisë i kanë arrestuar edhe 7 vetë të tjerë të dyshuar lidhur me sulmin e trefishtë vetvrasës me bombë në aeroportin kryesor të Stambollit...

Sipas mediave turke, tash numri i të arrestuarve është 37.
Agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu, ka raportuar sot se 7 të dyshuarit janë arrestuar nën akuzën për “anëtarësim në një grup të armatosur terrorist” dhe për bashkëpunim në vrasje.
Agjencia private e lajmeve, Dogan, tha se të 7 personat e arrestuar mbrëmë vonë, ishin me kombësi të jashtme.
Në sulmin më 28 qershor në Aeroportin ndërkombëtar Ataturk në Stamboll, janë vrarë 45 vetë dhe plagosur afro 240 të tjerë.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, por autoritetet e Turqisë e fajësojnë grupin ekstremist, Shteti Islamik.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pat thënë se militantët e Shtetit Islamik, nga ish-vendet sovjetike, kanë dorë në këtë sulm.
Mediat turke e kanë cituar një zyrtar të paemëruar qeveritar, që ka thënë se sulmuesit ishin të kombësisë ruse, uzbeke dhe kirgize./evropaelire
