Maqedoni
Halimi u prezentua në Shemshovë
01.04.2014 18:20
Papunësia dhe infrastruktura janë problemet më të mëdha të këtij rajoni, deklaroi kandidati presidencial i propozuar nga PDSH, Iljaz Halimi...

Papunësia dhe infrastruktura janë problemet më të mëdha të këtij rajoni, deklaroi kandidati presidencial i propozuar nga PDSH, Iljaz Halimi, në Shemshovë të Tetovës. Qytetarët shqiptarë edhe maqedonas dhe romë, turq dhe të gjithë të tjerët, ankohen se kanë probleme me rrugët, kushtet e këqija në shkolla, asistencën sociale, ndërsa një pjesë e madhe e tyre janë të papunësuar, u shpreh Halimi.
Ai më tej u zotua se nëse qytetarët me 13 prill e japin besimin e tyre për kandidaturën e tij, do të angazhohet për shpërndarje të barabartë të buxhetit për të gjitha rajonet e vendit, si dhe premtoi që do të realizojë takime dhe kontakte me investitorë të huaj që të mundësohen investime në Shemshovë të komunës së Jegunovcës dhe në zonat tjera të rajonit të Tetovës.
Edhe pse nga një parti thirrin për bojkot të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët dinë të mendojnë me kokën e tyre dhe jo çdoherë dëgjojnë thirrjet që janë në kundërshtim me proceset demokratike, tha kandidati i mundshëm për kryetar shteti, Iljaz Halimi. Ai para qytetarëve të rajonit të Tetovës, theksoi se kanë dëgjuar nga përfaqësuesit e Bashkimi Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së, se nuk përkrahin bojkotin e zgjedhjeve presidenciale dhe se ky bojkot dëmton demokracinë. Ai më tej pret që qytetarët shqiptarë të mos pranojnë thirrjen për bojkotimin e zgjedhjeve nga BDI, pasi që është e drejta e qytetarit të vendosë mbi votën e tij demokratike.
Kandidati për presidenti i PDSH-së, Iljaz Halimi, gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale, në rajonet e Tetovës, është shprehur se ditëve në vijim ka mbështetjen e qytetarëve dhe se sipas tij, kjo mbështetje për çdo ditë po rritet.
“Ne kemi dëgjuar nga përfaqësuesit e Bashkimi Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së, se nuk përkrahin bojkotin e zgjedhjeve presidenciale dhe se ky bojkot dëmton demokracinë. Unë për çdo ditë po marr mbështetje të gjërë edhe pse një parti politike doli me qëndrimin për të bojkotuar zgjedhjet presidenciale. Nuk besoj se qytetarët në këtë kohë, në vitin 2014, të shkojnë sipas urdhrave të dikujt që ka bërë matematika politike, duke i thënë qytetarëve të rrinë në shtëpi dhe të mos dalin në ditën e votimeve. Qytetarët mendojnë me kokën e tyre dhe jo gjithherë i mbështesin thirrjet dhe urdhrat e tilla, që janë në kundërshtim me proceset demokratike dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, që duan të shprehin të drejtën e votës së tyre. Qytetarët edhe shqiptarë edhe maqedonas edhe rom, turq dhe të gjithë të tjerët, ankohen se kanë probleme me rrugët, kushtet e këqija në shkolla, asistencën sociale, një pjesë e madhe prej tyre janë të papunësuar. Unë ju thash se ingerencat e presidentit nuk janë të tilla, të cilat mund të sigurojnë drejtpërdrejt mjete që të përmirësohen kushtet, por nëse zgjidhem në funksionin presidencial, do të angazhohem për sistemim të barabartë të mjeteve të buxhetit për të gjitha rajonet në Maqedoni, që sa më shumë qytetarë të kenë dobi nga këto mjete. Gjithashtu do t’i shfrytëzoj mundësitë për takime dhe kontakte me investitorë të huaj, të investojnë në Maqedoni, të përmirësohet gjendja me punësime”, deklaroi kandidati për presidenti nga radhët e PDSH, Iljaz Halimi.
Kandidati për president nga radhët e PDSH-së, Iljaz Halimi, gjatë takimeve që realizoi me banorët e Jazhincës, Orashit, Pallaticës dhe Rogles, nënvizoi se qytetarët e të gjitha komuniteteve ballafaqohen me probleme të shumta dhe se nëse ai me 13 prill merr mbështetjen e qytetarëve, do t’i shfrytëzojë kompetencat dhe ingerencat e tij, për tu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë, si dhe për të zgjidhur dhe tejkaluar vështirësitë me të cilat përballen për çdo ditë qytetarët e Maqedonisë.
Kandidati i PDSH-së për president, Iljaz Halimi, fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale sot do ta vazhdojë në lagjen Lajthi dhe Dutllok të Gostivarit, më pas takime me qytetarët do të realizojë edhe në fshatrat Debresh, Zdunjë, Raven dhe Vertok, ndërsa tubimin qëndror ku do të promovojë kandidatin për president, Iljaz Halimin, Partia Demokratike Shqiptare pritet ta mbajë në ora 20 në Reçan të Gostivarit.
Me moton “ Për President Shqiptar” , PDSH pritet që para banorëve të rajonit të Gostivarit të promovojë idenë dhe programin që do ta realizojë kandidati i mundshëm për president, Iljaz Halimi, nëse me 13 prill merr mbështetjen e të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare. Në programin e kandidatit të mundshëm për president shteti të PDSH-së, qëndron se në rast të fitores në favor të tij, Iljaz Halimi do të angazhohet që të jetë president i të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike apo fetare, do të përfaqësojë shtetin me sukses brenda dhe jashtë vendit, nuk do të përkrah politika të njëanshme mbi baza etnike apo fetare, që do të shkaktonin ndasi dhe përçarje mes qytetarëve, nuk do të lejojë punësime në baza partiake, do të angazhohet maksimalisht për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për çdo shkelje të kushtetutës dhe ligjeve, ku mund të dëmtohen qytetarët, reagimi i tij do të jetë i menjëhershëm.
Çdo ligj që do të kalon në Qeveri dhe Parlament, nëse konstatohet se mund të cenojë interesat, do të reagojë në të mirë të korrigjimit të tij, si dhe do të punon në zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë dhe debllokimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian. Me programin e tij, kandidati presidencial, Iljaz Halimi, nga Partia Demokratike Shqiptare, gjithashtu zotohet se do të angazhohet në drejtim të përmirësimit të gjendjes ekonomike në vend, në zhvillimin ekonomik të domosdoshëm, veçmas për viset shqiptare të pazhvilluara, do të angazhohem për investime të barabarta në të gjitha rajonet dhe qytetet, si dhe fuqishëm do tu kundërvihet tendencave për favorizime ekonomike në baza etnike.
Halimi gjithashtu premtoi se në rast se ai fiton, do të angazhohet që të shfrytëzojë të drejtën e tij për lirimin nga burgu i Maqedonisë, ata shqiptarë dhe të tjerë për të cilët do të konstatojë se pa të drejtë janë dënuar. Si komandant i Forcave të Armatosura, vëmendje do t’i kushtojë ARM-së, që ajo të jetë e modernizuar dhe t’i ketë të gjitha kushtet për të qenë e suksesshme në misionet e saj, në ARM nuk do të lejojë punësime me ndikime partiake, si dhe do të angazhohet që në njësitë për intervenime të shpejta të ketë shqiptarë dhe pjesëtarë të pakicave tjera.
Ndërkohë dega e PDSH-së në Strugë, përmes një komunikate me shkrim, njoftoi se në mbledhjen e mbrëmshme ka vendosur të shpallë moratorium, apo të “ngrijë” të gjitha aktivitetet e saja politike deri në përfundimin e zgjedhjeve parlamentare të prillit, duke mos mbajtur asnjë lloj përgjegjësie mbi rezultatin e tyre. Ky vendim unanim në Strugë,është sjellë si pasojë e situatës së krijuar mes degës së PDSH-së në Strugë dhe qendrës, pas kontestit që këto patën lidhur me listat për deputet në njësinë nr. 5, thuhet në kumtesën zyrtare të degës së PDSH në Strugë.
Pas këtij vendimi të degës së PDSH-së në Strugë, ka reaguar kryesia qendrore në Tetovë, e cila ka marrë vendim për t’i suspenduar kryetarin e degës së PDSH-së në Strugë dhe anëtarin e kryesisë qendrore të PDSH-së nga Struga. Mosreflektimi i kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçit, gjegjësisht mos thirrja e kuvendit qëndror për të analizuar kërkesën e degës së Strugës, ka qenë vërejtja më e madhe që pjesëmarrësit kanë theksuar në këtë takim. Kjo situatë u krijua pasi që kuvendi qendror i PDSH-së, vendosi që bartës i listës për deputet në njësinë 5, të jetë Zija Jonuzi, propozim që u kundërshtua nga dega e partisë. Kryesia qendrore dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, theksoi se respekton vendimet e kryesisë qendrore dhe se nuk tërheq Jonuzin nga bartësi i listës.
Por dega e Strugës sërish kishte kërkuar shqyrtimin e vendimit, duke kërkuar tërheqjen e vendimit për Jonuzin, por kjo nuk ka ndodhur. Më pas të gjithë kandidatët, përveç bartësit të listës, tërhoqën emrat e tyre nga lista, ndërsa e njëjta u plotësua në kundërshtim me statutin, duke mos qenë të propozuar nga asnjë strukturë e partisë.
Ndërsa sot, Rinia e Partisë Demokratike Shqiptare, përmes një konference për shtyp, ka ironizuar me BDI-në në shenjë të 1 prillit, “ditës së gënjeshtrave”.
“U munduam që në thesarin tuaj përplot gënjeshtra, të gjejmë atë më të jashtëzakonshmen, më të bukurën, por të gjitha i keni për mrekulli. Prandaj vendosëm që të ju përgëzojmë për të gjitha. Gjithsesi kjo festë nuk do të kishte kuptim pa ndihmësit tuaj dhe personave të cilët ju ndjekin hapë pas hapi në realizimin dhe shpërndarjen e gënjeshtrave, me mundin dhe sakrificën e tyre të palodhshme”, theksoi anëtari i RDSH-së, Valon Izairi. (Sanije Kasami)
