Kuvend, vazhdon debati për propozim/rebalancin e buxhetit
Komisioni kuvendor për financa dhe buxhet sot do të vazhdojë me debatin rreth propozimit për ndryshime...

Komisioni kuvendor për financa dhe buxhet sot do të vazhdojë me debatin rreth propozimit për ndryshime dhe plotësime të buxhetit të Maqedonisë të vitit 2016 në lexim të dytë.
Anëtarët në vazhdim të mbledhjes do t’i shqyrtojnë amendamentet e parashtruara për rebalancin e vazhduar të buxhetit për vitin 2016.
Në përgjithësi janë parashtruar 325 amendamente. Seanca e sotme e Komisionit amë është vazhdim i seancës së ditës së premte, ku Komisioni i refuzoi dhe nuk pranoi asnjë amendament të parashtruar nga opozita shqiptare, PDSh.
Opozita shqiptare ka propozuar disa qindra amendamente, ndërsa opozita maqedonase e bojkoton punën e Kuvendit, rrjedhimisht edhe debatin rreth rishikimit të buxhetit.
Ndryshe, sipas ekzekutivit dhe shumicës parlamentare, nuk bëhet fjalë për ndryshime serioze në buxhet.
Me rebalancin parashikohet ulje e rritjes së BPV-së prej 4 në 2,3 për qind për shkak të krizës politike, ndërsa investimet kapitale mbeten në nivel të lartë dhe të gjithë projektet e parapara, siç paralajmëroi ministri i Financave, Kirill Minoski, do të vazhdojnë të realizohen.
Propozuesi siguron se me rebalancin janë paraparë edhe mjete për pagesë të pagave, pensioneve, transfereve sociale dhe për subvencione për bujqit.
