Ekonomi

OEMVP kundër huamarrjes së Qeverisë, borxhi i ri vazhdon shqetësimet në opinion

11.07.2016 15:15

OEMVP shpreh shqetësimin e saj në lidhje me marrjen e borxhit të ri të Qeverisë në vlerë prej 650 milionë euro...

Në qoftë se nuk ka rritje konstante ekonomike për 5% gjatë viteve të ardhshme, nga Oda vlerësojnë se Maqedonia mund të rrezikojë të ketë fatin e Greqisë.
 
Shqetësuese është se borxhi merret vetëm sa për të ruajtur paqen sociale, ndërsa anashkalohet zhvillimi ekonomik. 
 
“Intenca e Qeverisë është që të shkurtohen të gjitha linjat buxhetore që kanë efekt të rritjes ekonomike ose që janë linja buxhetore për zhvillim. Intenca e kësaj Qeverie është që mbahet paqe sociale dhe ne nuk shohim asnjë shenjë të kësaj qeverie e cila thotë se mjetet që vijnë nga akreditimi i jashtëm do të shkojnë në përkrahje të zhvillimit ekonomik”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i OEMVP-së, Fatmir Bytyçi.
 
Sipas OEMVP-së, vetëm aspekti social shikohet edhe në rebalancin e buxhetit. Nga ky institucion janë të mendimit se ky buxhet nuk është zhvillimor dhe nuk projekton të ardhme të mirë, andaj ata apelojnë deri tek të gjithë aktorët relevant që në komisione të përmirësojnë gabimet e bëra.
 
“Investimi në zonën ekonomike në Vizbeg, shumë me rëndësi është kanalizimi dhe ujësjellësi, të planifikuara 10 milionë shkurtohen në zero, investimet me ujësjellësin dhe kanalizimin në komuna të planifikuara 118 milionë shkurtohen në 16 milionë ose për 48%”,- tha nënkryetari i OEMVP-së, Mendi Qyrra.
 
OEMVP gjithashtu demantoi ministrin e Financave, i cili kishte thënë se Oda i jep përkrahje iniciativave të Ministrisë së Financave.
 
Nga OEMVP thonë se ky institucion përkrahje i jep vetëm platformës së saj ekonomike. 
 
ERSAN PAJAZITI