Përvjetori i masakrës, plagët nga Srebrenica ende të freskëta

11.07.2016 15:37

Shënohet masakra e Srebrenicës, ku më 11 korrik të vitit 1995 Forcat serbe të Bosnjës hynë në qytetin e Srebrenicës....

Shënohet masakra e Srebrenicës, ku më 11 korrik të vitit 1995 Forcat serbe të Bosnjës hynë në qytetin e Srebrenicës dhe ekzekutuan mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Kjo njihet si masakra më e madhe në Europë pas luftës së Dytë Botërore.

Vrasjet makabre të njësive të Ushtrisë së Republikës Srbska, që vepronte nën urdhrat e gjeneralit, Ratko Mladiç, do të ndodhnin vetëm 5 muaj përpara fundit të luftës ndëretnike në Bosnje. Kur forcat serbe mbërritën në kompleksin e OKB-së, paqeruajtësit holandezë e dorëzuan shpejt bazën, që duhej të ishte një strehim i sigurt për banorët e zonës, e trupat serbe nuk vonuan të ndanin burrat e djemtë për ekzekutim.

Këto vrasje ishin të planifikuara dhe ushtria serbe ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të fshehur gjurmët. Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, është dënuar në muajin mars me 40 vjet burg për krime lufte në Srebrenicë, ndërsa ish-udhëheqësi ushtarak, Ratko Mlladiç, është ende në gjyq në Hagë.

Edhe pas dy dekada vazhdon identifikimi dhe varrosja e viktimave. Çdo vit, ekspertët e huaj gjejnë trupa të reja në gati 100 varret masive të zbuluara deri më tani. Në varrezat përkujtimore në Potoçari, pas namazit të drekës janë varrosur 127 viktima të tjerë që humbën jetën në gjenocidin e Srebrenicës. Të afërmit e viktimave u lutën me lot në sy pranë varreve të të dashurve të tyre.

“Herën e fundit e kam parë në Srebrenicë, në afërsi të një spitali, ata u përpoqën të shpëtojnë duke ikur nëpër male, ndërsa ne gratë shkuam në Potoçaria. Na gënjyen na thanë se do t’i kthejnë djemtë tanë mos u bëni merak, ata u kthyen, por të vdekur”,- tha një grua.

“Kërkoj dhe lutem çdo ditë po kot e kam nuk mund ta gjej. Po dashtë Zoti ta gjej vetëm një kockë të djalit”,- u shpreh një grua.  

Familjarët e viktimave u afruan pranë arkivoleve duke u dhënë lamtumirën e fundit të rënëve. Nga 127 viktimat që u varrosen këtë vit, 12 kanë qenë nën moshën 18-vjeçare kur ishin vrarë, prej të cilëve më i riu në moshën 14-vjeçare, me emrin Avdija Memiç, ndërsa personi më i moshuar ishte në moshën 77-vjeçare, me emrin Mustafa Haxhoviç.

Numri i viktimave të varrosur në varrezat përkujtimore në Potoçari është rritur në 6.504. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)