Maqedoni

Pendarovski u prezantua në Gjevgjeli

01.04.2014 18:23

Kandidati për president, Stevo Pendarovski, nga radhët e LSDM-së, në qytetin e Gjevgjelisë...

Kandidati për president, Stevo Pendarovski, nga radhët e LSDM-së, në qytetin e Gjevgjelisë, ka thënë se problemin me emrin që ka Maqedonia me Greqinë, duhet të zgjidhet vetëm me konsenzus shtetëror, por gjithashtu të bashkëpunohet me vendet fqinjë. Për Pendarovskin prioritet akoma mbetet integrimi euroatlantik i vendit, përkatësisht integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
 
Sipas tij, me rëndësi janë qytetarët, ndërsa politika e ndarjes është më se e dëmshme për shtetin. Pendarovski ka kërkuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski, të zbulojë se për çfarë kanë biseduar më saktësisht me Metju Nimic në takimin e fundit. 
 
“Nuk mund ta zgjidh vet problemin  me emrin, është një ndër problemet më të mëdha që ka pasur Maqedonia nga viti 90 e deri më sot. Ai që ju ka thënë se mund ta zgjidh këtë problem brenda ditës, ai ju ka gënjyer. Problemi me emrin mund të zgjidhet vetëm me konsenzus shtetëror, në mesin e të gjitha palëve, pasi me referendum nuk mund të kalojë asnjë zgjidhje me 900 mijë vota. Maqedonia nuk mund të ecë para nëse nuk mendon për të gjithë qytetarët njëjtë. Pa bashkim nuk është e mundur, vendi ynë ka nevojë për njerëz të ri dhe për një frymë të re politike”, deklaroi kandidati për president nga LSDM, Stevo Pendarovski.
 
Kandidati për president nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, theksoi se Maqedonia ka nevojë për njerëz të ri, të cilët mund t’i zgjidhin problemet. Me 13 prill do të jetë provimi i parë, VMRO-DPMNE ka frikë nga 13 prilli, sepse nuk ka asgjë të re çka mund të ofrojë nga kjo parti. Kokën lart të votojmë ashtu si duhet, theksoi Pendarovski.
 
Ai gjithashtu ka kritikuar qeverisjen aktuale se ka kontribuar për rritjen e numrit të personave të shpërngulur nga Maqedonia. Ai gjatë takimeve me qytetarë, ka thënë se pushteti duhet t’i shërbejë popullit dhe jo populli t’i shërbejë kryeministrit. Pendarovski ka shtuar se qytetarët i japin atij përkrahje për ekonominë, demografinë dhe të drejtat dhe liritë e njeriut. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)