Maqedoni

Reagimet e partive politike, të shfrytëzohet prania e ndërkombëtarëve

11.07.2016 16:19

Vizita e ndihmessekretares së departamentit amerikan, Viktoria Nuland, në Shkup është shfrytëzuar nga partitë politike për të sugjeruar daljen më të shpejt nga kriza politike...

Nga RDK vlerësojnë se prezenca e Nuland mund të jetë vizitë e fundit në Maqedoni për të ndihmuar vendin të dalë nga kjo krizë, dhe ndikimi i saj duhet shfrytëzuar maksimalisht.
 
RDK vlerëson se ardhja e burrështetasve të lartë ndërkombëtarë në Shkup është një dëshmi e fuqishme për rëndësinë e Maqedonisë dhe Ballkanit perëndimor në gjeostrategjinë e përgjithshme të rregullimit botëror.
 
“Aktorët politik vendas deri më tani kanë dështuar tërësisht në zgjidhjen e krizës politike dhe për këtë arsye komuniteti ndërkombëtar nuk duhet edhe më tutje të tolerojë neglizhencë të këtyre aktorëve. Situata politike në vend është aq e ndërlikuar, saqë është e papranueshme që vendi dhe Ballkani perëndimor të lihen nën duart e aktorëve lokal, me arsyetim se zgjidhja e krizës është më e qëndrueshme”,- thuhet nga RDK.
 
Lidhja Demokratike vlerëson se qytetarët, ekspertët, asociacionet qytetare, mediat dhe partitë opozitare presin që të ndodhë ndryshim i dukshëm që nga nesër dhe me tempo të shpejtë të zbatohen reformat për dhënien e parakushteve minimale për zgjedhje.
 
Nga LD thonë se ka shumë pikëpyetje nga vizita e Nuland. A do të kërkojë ajo që të lirohen institucionet nga partitë? A do t’i inkurajojë gjeneratorët e krizës që të tërhiqen nga skena politike? A do ta përmbajë idenë për formimin e departamentit special në Gjykatë, e cila do të merret me lëndët e Prokurorisë Speciale?
 
“U bëjmë thirrje të gjitha partive, që t’i mënjanojnë interesat personale dhe partiake dhe të pranojnë që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, si parakusht i rëndësishëm për demokratizimin dhe përforcimin e përgjegjësisë së funksionarëve, veçmas të kryeministrit”,- thuhet nga LD.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI