Maqedoni

Nulland takon liderët politik, optimiste për arritjen e marrëveshjes së shpejti

11.07.2016 17:25

Ndihmëssekretarja e departamentin amerikan të Shtetit, Viktoria Nulland, mbylli takimet me katër liderët politik të vendit...

Ndihmëssekretarja e departamentin amerikan të Shtetit, Viktoria Nulland, mbylli takimet me katër liderët politik të vendit, e inkurajuar se ditëve në vijim do të arrihet marrëveshje për dalje nga kriza politike.
 
Nulland u shpreh se për këtë është e nevojshme vullnet politik, gjë të cilën ajo e ka vërejtur edhe nga takimet e sotme. 
 
“Më duhet të them se po lë Shkupin e inkurajuar nga ajo që dëgjova se ditëve në vijim ekipet negociatore mund të përafrojnë idetë dhe gjejnë zgjidhje në drejtim të zgjedhjeve. Kjo sipas gjitha gjasave kërkon vullnet politik nga të gjitha anët. Ndjeva se ky vullnet ishte i pranishëm në takimet që pata sot. Kuptohet, ambasadorët Bejli dhe ekipi ynë do të vazhdojnë punën e tyre të fuqishme bashkë me BE-në që t’u ndihmojnë palëve të arrijnë marrëveshje sa më shpejtë të jetë e mundur”,- deklaroi ndihmëssekretarja e Shtetit amerikan, Viktoria Nulland.
 
Nulland, katër liderët politik i ka takuar ndaras. Përderisa liderët shqiptarë i ka pritur në Ambasadën amerikane, liderët maqedonas i ka takuar në selitë e partive. Lideri i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Gruevski, është shprehur për mbajtjen e zgjedhjeve, por me disa kushte.
 
“Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje nga kriza politike e imponuar nga opozita. VMRO-DPMNE i dëshiron zgjedhjet dhe është e përgatitur për ato, por që ato të ndodhin është e nevojshme që opozita të zotohet se të gjitha kushtet janë plotësuar,  se nuk ka pengesa që ato të shtyhen dhe se do të marrin pjesë në procesin zgjedhor”,- ka thanë lideri i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i ka thënë diplomates amerikane Nulland se zgjedhjet e shpejta, fer dhe demokratike do ta shpëtojnë Maqedoninë nga fundosja ekonomike dhe financiare. Zaev ka kërkuar formimin e qeverisë që do të realizonte zgjedhjet të cilat, sipas tij, mund të mbahen në nëntor.
 
“E patjetërsueshme është formimi i qeverisë që do të organizojë dhe realizojë zgjedhje të rregullta, ku do të vendosë vullneti i lirë i qytetarëve. Pavarësisht ndryshimeve në Ligjin për Polici, Qeveria do të duhet të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Përzhinës. Bashkërisht konstatuam që nëse përmbushen kushtet, zgjedhjet mund të mbahen në nëntor”,- ka theksuar lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka siguruar Nulland se BDI do të jetë pjesë e zgjidhjes së krizës.
 
“BDI është pjesa më konstruktive e zgjidhjes së çështjes, jemi optimistë për arritje të shpejtë të kompromisit nga palët në ditët në vijim. Ky kompromis duhet të rezulton me zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe demokratike sa më shpejtë që është e mundur”, - është shprehur Ahmeti. 
 
Ndërkaq, për liderin e PDSh-së, Menduh Thaçi, ky është momenti i fundit për zhbllokimin e ngërçit politik.
 
“Është moment shumë i rëndësishëm që ta shfrytëzojnë gjithë këtë çështje dhe të bëhet debllokimi i krizës politike, përndryshe shpresat do të humbin në tërësi nëse tash nuk ndodh kjo”- ka thënë kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Nulland gjithashtu ka takuar edhe përfaqësues të sektorit civil dhe prokuroren speciale, Katica Janeva, dhe ekipin e saj.
 
“Puna e saj është e rëndësisë vitale që t’i kthejnë vendit sundimin e vërtetë të drejtësisë, llogaridhënien dhe sistem të pastër gjyqësor, diçka që padyshim është thelbësore nëse Maqedonia dëshiron të arrijë objektivat e saj euroatlantike”,- ka theksuar ndihmëssekretarja e Shtetit amerikan, Viktoria Nulland.
 
Formimi i repartit special gjyqësor mbetet mundësi e hapur për përforcimin e sistemit gjyqësor. Vizita e Nulland në Maqedoni vjen si pasojë e ngrirjes së krizës politike dhe mosarritjes së zgjidhjes për një kohë më të gjatë.
 
MERAL ISMAILI