Botë
Kosovë, pesë shtatori - "Dita e Bamirësisë - Nënë Tereza"
11.07.2016 17:41
Në nder të nobelistes shqiptare, Nënë Tereza, Parlamenti i Kosovës shpalli pesë shtatorin "Ditën e Bamirësisë - Nënë Tereza"...

Pikërisht Nënë Tereza bashkoi Kuvendin e Kosovës, duke mbështet këtë propozim si rrallë herë nga të gjithë shefat e grupeve parlamentare, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Të gjithë e vlerësuan lartë personalitetin e Nënë Terezës, madje Adem Grabovci nga PDK tha se kjo është një nismë e vonuar, përderisa Alma Lama kërkoi nga Kuvendi që të reagojë ndaj qarqeve radikale, të cilët, siç tha ajo, janë përpjekur ta thyejnë figurën e Nënës Terezë.
“Kuvendi i Kosovës nuk ka reaguar ndaj qarqeve radikale, që janë përpjekur të thyejnë figurën e Nënë Terezës. Ky Kuvend duhet të reagojë fuqishëm ndaj çfarëdo lloj gjuhe e veprimi. Nënë Terezën e nderon mbarë bota, si mos ta nderojmë ne. Kuvendi duhet të reagojë në rast të incidenteve të tilla”,- tha ajo.
E ndërsa, një iniciativë të tillë e mbështet edhe deputetja e Kuvendit të RM-se Kaltrina Azizi, aq më shumë dihet se Gonxhe Bojaxhiu ka qenë qytetare e Shkupit.
“Një iniciativë e tillë është në interes të qytetarëve që edhe në Kuvendin e RM-së të ndodh e njëjta, përveç faktit që me këtë fillimisht i bëhet një nder figurës së madhe të Nënë Terezës, më pastaj është një figurë unifikuese e shqiptarëve si në Kosovë, Maqedoni dhe në Shqipëri, aq më tepër kur Gonxhe Bojxhiu është qytetare e RM-së, gjegjësisht e Shkupit, dhe kjo do na nderonte pa masë, e aq më tepër kur këtyre ditëve që po kalojmë jemi dëshmitarë të flukseve të mëdha të refugjatëve, d.m.th. të familjeve në nevojë, të shpërndarjes apo të proklamimit të paqes dhe kjo do të ishte shumë e rëndësishme dhe më se e nevojshme që të votohet në masë të madhe dhe të ndikohet në proklamimin e veprave bamirëse, paqes gjithandej për të gjithë popujt”,- u shpreh deputetja, Kaltrina Azizi.
Nënë Tereza, e cila vdiq më 5 shtator të vitin 1997, në moshën 87-vjeçare, u bë një ikonë ndërkombëtare dhe më 4 shtator do të bëhet shenjtore nga Papa Françesku.
Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë me rreth 20 murgesha në vitin 1950 për të ndihmuar të varfrit në rrugët e Kalkutës dhe urdhri i saj fetar u përhap në të gjithë botën.
Nënë Tereza fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, duke u bërë edhe shqiptarja e parë me këtë çmim.
BELINDA KOKA-ADEMI
