Maqedoni
Propozim/rebalanci i buxhetit, nuk kalojnë amendamentet e opozitës
11.07.2016 18:02
Komisioni për financa dhe buxhet ka vazhduar debatin lidhur me amendamentet e propozuara nga opozita shqiptare e që kanë të bëjnë propozim-rebalancin e buxhetit të vitit 2016...

Deputetët e PDSh-së akuzuan BDI-në për shkurtimet e buxhetit dhe mosrealizimin e projekteve nëpër vendbanimet shqiptare.
“Amendamentet që ka parashtruar PDSh me siguri se çdo qytetarë shqiptarë e vëren se janë kërkesa elementare për një jetë normale. Në mënyrë absolute të gjitha këto kërkesa vendbanimet maqedonase i kanë rregulluar. Vetëm kur na del dhe bën një analizë se çka përmbajnë kërkesat e shqiptarëve, na del fakti se kjo qeveri është qeveri antidemokratike dhe antishqiptare”,- deklaroi Orhan Ibraimi nga PDSh.
Nga foltorja e pres-qendrës së Kuvendit, LSDM ka kundërshtuar rebalancin e propozuar dhe huamarrjen e re nëpërmjet euroboneve, duke cilësuar atë si krim financuar ndaj qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
“Me rebalancin e buxhetit pushteti i hutuar duhet të shmanget nga të gjitha shpenzimet joproduktive të cilat po i bën gjatë viteve të kaluara që të ketë para për funksionimin normal të shtetit. Krimin financiar prej 650 milion eurove, pushteti kriminel e kërkon pikërisht për të korruptuar trupin zgjedhor dhe për të mbushur xhepat private dhe të familjeve”,- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
Partia Demokratike Shqiptare ka propozuar disa qindra amendamente, ndërkohë opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM bojkoton punën e Kuvendit.
NAIM RAMADANI
