Botë

Itali, 20 të vdekur nga përplasja e trenave

12.07.2016 14:48

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në jug të Italisë midis dy trenave që po udhëtonin në drejtime të kundërta por në të njëjtin binar...

Si pasojë e përplasjes së fortë, të paktën 20 persona raportohet se kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
 
Aksident i rëndë ka ndodhur në Puglia të Italisë, ku trenat janë përplasur kokë më kokë me njëri-tjetrin dhe sipas mediave italiane numri i tyre pritet të rritet. Dëshmitarët flasin për skena shumë të tmerrshme.
 
“Kjo është një linjë shumë e frekuentuar, që ne e përdorim për çdo ditë, shumë i përdorur edhe nga personat me punë si dhe studentët, por për fat të mirë aksidenti ka ndodhur në një periudhë kur shkollat janë të mbyllura dhe në mëngjes, ku shumë njerëz nuk e marrin trenin, përndryshe do të ishte edhe më tragjike”,- deklaroi kryetari i Koratos, Massimo Mazzilli.
 
“Aksidenti shkaktoi 20 viktima. Shumë  persona janë plagosur dhe janë në gjendje të rëndë, situata është shumë e komplikuar dhe delikate”,- tha presidenti i krahinës Barletta-Andria-Trani, Giuseppe Corrado.
 
Secili nga trenat përbëhej nga katër vagonë, ndërsa në aksident janë përfshirë dy vagonët e parë të secilit prej mjeteve hekurudhore. Nga rrënojat ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë një fëmijë, që për fat të mirë ka qenë ende në jetë dhe është transportuar me helikopter në spital. Incidenti ka ndodhur në një fshat mes lokaliteteve Ruvo dhe Korato. 
 
Ndërkohë që skuadrat e zjarrfikësve po punojnë për të nxjerrë nga rrënojat personat e bllokuar dhe dyshohet që mund të ketë të tjera viktima. 
 
Kryeministri italian, Matteo Renzi, shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave.
 
GAZMEND KURTISHI