Maqedoni
Kriza politike, analistët: Presioni amerikan sjell rezultate
12.07.2016 15:19
Analistët politik të vendit shprehen optimistë se presioni amerikan dha rezultatet në terren...

Analistët politik të vendit shprehen optimistë se presioni amerikan dha rezultatet në terren, duke intensifikuar takimet e katër partive nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës për zhbllokimin e ngërçit politik.
Me ardhjen të diplomates së lartë amerikane, Viktoria Nulland, në Shkup, sipas analistit, Selim Ibraimi, partitë politike kuptuan se nuk kanë shumë hapësirë për manovrim.
Nëntori apo marsi i vitit të ardhshëm, sipas Ibraimit, mund të jenë data eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Duke i parë disa rrethana rajonale dhe të brendshme në Maqedoni, mendoj që nuk ka opsione të tjera. Mendoj që tani është koha e fundit që partitë politike, liderët të mund të tregohen vërtetë liderë, t’i marrin disa nuanca të lidershipit. Siç tha diplomatja amerikane, ka ngelur konsolidimi ligjor dhe demokratik i Maqedonisë dhe këtu partitë politike dhe liderët duhet të punojnë që deri në vjeshtë t’i përmirësojnë listën zgjedhore dhe kodin zgjedhor”,- deklaroi analisti politik, Selim Ibraimi.
Analisti, Nano Ruzhin, thotë se partitë politike kanë kuptuar porosinë e Nulland për rëndësinë e gjetjes së zgjidhjes. Ato sipas Ruzhin janë të vetëdijshme se gabimet eventuale edhe mund të sanksionohen.
“Kësaj here kërcënimi dhe argumentet me të cilat erdhi Nulland janë aq të fuqishme. Nga partitë politike pritet të bëjnë diçka, aktiviteti i tyre pritet të jetë në përputhje me marrëveshjet, pasi që ai që do të gabojë, nuk do të gëzojë relaksin politik. ShBA-të kanë instrumente të shumta shpërblyese, por edhe sanksionuese. Andaj, mendoj se ky është moment historik për Maqedoninë që të nis rrugën e transicionit demokratik, stabilizimit të shoqërisë, integrimit euroatlantike dhe demokracisë”,- tha analisti politik, Nano Ruzhin.
Ndihmëssekretarja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nulland, pas përmbylljes së takimeve me liderët politik, prokuroren speciale dhe sektorin civil, porositi që Maqedonia të vazhdojë rrugën euroatlantike, pushteti ekzekutiv të kontrollohet nga pushteti gjyqësor, opozita të ketë hapësirë të veprimit, ndërkaq mediat të gëzojnë lirinë e plotë.
MERAL ISMAILI
