Maqedoni

Shqetësues fakti që të rinjtë dalin jashtë shtetit në mungesë të ligjeve dhe aktiviteteve për të rinj

12.07.2016 15:44

Një paralele e nevojave reale të të rinjve dhe politikës së shtetit rreth problemeve të tyre u shtrua në tryezën e rrumbullakët për të rinj...

Një paralele e nevojave reale të të rinjve dhe politikës së shtetit rreth problemeve të tyre u shtrua në tryezën e rrumbullakët për të rinj, i cili ishte edhe debati përfundimtar në kuadër të projektit “Korelacioni në mes të prioriteteve për të rinj dhe politikave oficiale”.

Qëllimi kryesor dhe mesazhi qëndron në shpalosjen e njohurive të fituara nga hulumtimet e kryera në kuadër të projektit, masat të cilat duhet të ndërmerren për zgjidhjen e problemeve më të mëdha me të cilat ballafaqohen të rinjtë, si dhe mobilizimin e opinionit publik se politikat e të rinjve duhet të jenë në përputhje me sfidat e tyre, theksuan organizatorët.  

“Duke u bazuar në hulumtimet e realizuara nga ekipi ynë, kemi arritur në përfundim se ka nevojë për një ligj gjithëpërfshirës për të rinj. Një nga vërejtjet kryesore është se në vendin tonë nuk ekziston as strukturë, as organizatë e mirëfilltë e as ligje të veçanta të cilat merren me problemet e të rinjve. Ata nuk kanë vend në procesin e sjelljes së vendimeve dhe për këtë qëllim janë pjesë pasive në realizimin e politikave”,- deklaroi anëtari i ekipit hulumtues, prof. dr. Petar Atanasov. 
 
“Nëse tentojmë në disa fjalë të sjellim rezultatet e projektit, ato shfaqen në tri dimensione. E para, mosnjohuria e politikave për të rinj nga ana e tyre si dhe mungesa e njohurisë rreth institucioneve të cilat merren me problemet e tyre. E dyta, mungesa e iniciativave dhe aktivizimit të tyre, dhe e treta, dëshira për dalje nga shteti si përgjigje e dy problemeve të cilat i preokupojnë”,- tha anëtarja e ekipit hulumtues, prof. dr. Emilija simoska.
 
Ndryshe, projekti është implementuar brenda 18 muajve nga Instituti Progres për Demokraci Sociale dhe Instituti për Analiza Sociale në partneritet me USAID-in dhe Fondacionin “Shoqëri e hapur”-Maqedoni.
 
LEUNORA KALIQI