Maqedoni

Debat mbi propozim buxhetin e ri, nuk kalojnë amendamentet e opozitës

12.07.2016 17:04

Në Komisionin për financa dhe buxhet kanë vazhduar përplasjet lidhur me propozim buxhetin e ri për vitin 2016...

PDSh ka kërkuar mjete për ndërtimin e urës së drurit në qytetin e Strugës, e cila ishte larguar në vitin 2012, ndërsa ka akuzuar pushtetin për diskriminim financiar.
 
“Ta arsyetosh këtë plaçkitje, këtë shfrytëzim të egër ekonomik, këtë diskriminim ku me paratë e shqiptarëve ndërtohen 90 milionë euro përmendore dhe nuk ndahen për kushte elementare të ndërtohet një urë në Drin. E dini pse nuk ndërtohet kjo urë, sepse Struga ka banorë shqiptarë, të kishte qenë puna për në Ohër apo për lumin Vardar, këtu në Shkup edhe anije keni nxjerrë, plazhe këtu në lumin Vardar në Shkup, ndërsa shkatërrohet perla siç është Struga”,- deklaroi Ernad Fejzullahu nga PDSh.
 
Bëhet fjalë për urën e drurit në Strugë, e cila është larguar për shkaqe sigurie në kohën kur kam menaxhuar me qytetin e Strugës, tha deputeti, Ramiz Merko.
 
“Në disa raste, grupe të caktuara qytetarësh, edhe nxënësish, edhe turistësh në momente të caktuara, për shkak të kalbjes së drurit në disa raste u rrëzuan dhe u lënduan, dhe pikërisht për të larguar humbjen e ndonjë qytetari në vendim të këshillit të Strugës, në atë kohë larguam një simbol të qytetit të Strugës me preteks se ai simbol për një kohë të shkurtër duhet të kthehet në vendin e vet”,- tha Ramiz Merko nga BDI.
 
Komisioni për financa dhe buxhet edhe gjatë ditëve në vazhdim do të debatojë mbi disa qindra amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike Shqiptare. 
 
NAIM RAMDANI