Maqedoni
Aksion policor “Llotos”, MPB shpërbën grupin e narkodilerëve
12.07.2016 17:36
24 persona të arrestuar, 30 kilogram marihuanë, 40 pako heroinë, katër automjete dhe dy motoçikleta janë sekuestruar në orët e para të mëngjesit në aksionin e fundit të MBP-së të koduar si “Llotos”...

Bëhet fjalë për një grup personash të cilët kishin krijuar rrjet të shitjes dhe furnizimit të lëndëve narkotike.
I pari i dyshuar nga Velesi, gjatë dy viteve të fundit kishte krijuar zinxhir të veçantë të dilerëve nga Shkupi, Sveti Nikolla, Koçani, Shtipi, Kavadari, Gjevgjelia dhe Struga për të shitur lëndë narkotike të cilat më herët i kishte paketuar vetë në shtëpinë e tij në Veles.
“I pari i dyshuar, 40 vjeçari nga Velesi, në fund të vitit 2015 dhe në fillim të vitit 2016 ka organizuar rrjet të veçantë të shitësve dhe ndërmjetësuesve të tij ku ishin të angazhuar tre persona të tjerë nga Velesi për të shitur marihuanë dhe heroinë në disa qytete tjera. Një pjesë e vogël e fitimit këta persona e kishin mbajtur për vete, ndërsa pjesën tjetër më të madhe e kishin për detyrë t’ia dorëzojnë organizatorit. MPB ende po hulumton rastin se nga kush i dyshuari i parë i ka siguruar lëndët narkotike”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çafkov.
Gjatë këtij aksioni janë bastisur 24 shtëpi dhe janë sekuestruar rreth 5 mijë e 500 euro kesh, peshore dhe pajisje tjera për paketimin e drogës. MPB ndaj 20 personave ka ngritur 14 padi penale.
REXHEP QAMILI
