Botë
Shkatërrohet grupi i kokainës me 50 mijë euro fitime në muaj
12.07.2016 17:54
Një grup i rrezikshëm i trafikut të drogës është shkatërruar këtë fillimjavë nga Policia e Tiranës...

Banda e kokainës, e cila drejtohet nga Gjergj Cukali, u arrestua së bashku me gjashtë persona të tjerë në kuadër të operacionit të koduar “Tagent”.
Gjatë aksionit, policia sekuestroi 282 gram kokainë, 25 telefona celularë, pesë automjete të ndryshme dhe 15 çelësa makinash. Ndër të arrestuarit janë edhe dy shqiptarë nga Kosova me banim në Prishtinë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, dha detaje të operacionit. Policia ka ofruar edhe pamjet e operacionit të policisë, i koduar “Tangent”, ndërsa shihet se një pjesë e drogës është fshehur tek një arushë lodër në ambientet e një banese në kryeqytet.
Nga hetimet dyshohet se Cukali e personat e tjerë punonin prej një viti në shitjen dhe shpërndarjen e drogës.
Arrestimet nisën të hënën në mëngjes, duke vijuar me ndalimin e disa personave në mesditë në një lokal në kryeqytet, ndërsa operacioni vijoi deri në mbrëmje vonë.
Nga hetimet është zbuluar se droga sigurohej nga Gjergj Cukali, i cili dyshohet se e blinte tek një grup personash që udhëtonin në Holandë.
Banda fitonte 50 mijë euro përmes shitjes së kokainës, e cila shpërndahej në zonën e Myslym Shyrit, në ish-bllok, sheshin Uillson, Shkolla e Bashkuar Porcelan.
Ndaj të arrestuarve policia ka nisur edhe hetimin pasuror ndaj të arrestuarve, me dyshimin se pasuritë mund të jenë vënë nga aktiviteti kriminal.
LULJETA NDOKA
