Maqedoni

LSDM: Pushteti i Gruevskit po largon Maqedoninë nga proceset euroatlantike

12.07.2016 19:22

Kryetari i Komisionit për mbrojtje në LSDM, Maksim Dimitrievski akuzoi se Gruevski dhe pushteti i tij, po luajnë me ardhmërinë euroatlantike të Maqedonisë...

Dëshmi për këtë, sipas tij, është samiti i fundit i NATO-s në Varshavë, i cili u mbajt në fillim të këtij muajit, ku Maqedonia morri paralajmërime serioze.
 
Sipas Dimitrievskit, këtë e shpjegon mos zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës, si mënyra e vetme për të dalë nga kriza.
 
Ai gjithashtu tha se si kushte të nevojshme janë krijimi i kushteve për zgjedhje të besueshme, sigurimi i sundimit të ligjit, gjykatat e pavarura dhe liria e mediave. 
 
“Asgjë nuk më befason  nga ky pushtet anti – BE dhe anti – NATO, i cili gjatë 10 viteve të fundit, me plotë vetëdije po e largon Maqedoninë nga proceset euroatlantike dhe përmes institucioneve të uzurpuara vendase, pa kontroll dhe lirshëm po vjedh, korrupton dhe po pasurohet në kurriz të qytetarëve”, tha Maksim Dimitrievski, nga LSDM.
 
Ndaj akuzave të LSDM-s përmes një kumtese reaguan nga VMRO-DPMNE-ja. Në kumtesë thuhet se vetëm Maksim Dimitrievski dhe LSDM-ja, janë të vetmit në Maqedoni të cilët nuk mund të shohin qartë se Maqedonia nuk është anëtare e NATO-s për shkak të kundërshtimit të Greqisë, për shkak të kushteve dhe vetos së saj.
 
BELINDA KOKA-ADEMI