Maqedoni

Halimi në takim me banorët e Reçanit të Gostivarit

02.04.2014 18:33

Kandidati për president i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, ka vazhduar promovimin e fushatës së tij në takime me banorët e Reçanit në komunën e Gostivarit...

Kandidati për president i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, ka vazhduar promovimin e fushatës së tij në takime me banorët e Reçanit në komunën e Gostivarit. Pata mundësi të vizitoj shumë fshatra dhe të takohem me shumë njerëz.
 
Të gjithë m’u ankuan se jetojnë vështirë. Diku nuk ka ujë, diku nuk ka rrugë, madje banorët ankohen se edhe duhanin nuk munden ta shesin. Nëse e fitoj besimin tuaj, do të kujdesem që të gjitha këto probleme të zhduken, ka deklaruar Iljaz  Halimi, duke kërkuar nga qytetarët e Reçanit të dalin dhe të votojnë për të me 13 prill.
 
“Kam biseduar me shqiptarë, me turq, me boshnjakë, me myslimanë dhe do të kontaktoj me dhjetëra e mijëra qytetarë, me të cilët kam biseduar dhe ndëgjuar hallet e tyre, ndërsa hallet dhe problemet e tyre janë të shumta, të gjithë ata rrëfejnë për kushtet e rënda në të cilat jetojnë. Si shumë të rinj të papunësuar, rrugët me gropa dhe të paasfaltuara, shumë shkolla pa kushte për mësim, pa kanalizim dhe pa ujë. Me mungesë të ndihmave sociale, në anën e Dollnenit, kanë problem me shitjen e duhanit edhe pse shumë milion euro janë ndarë për subvencione. Me një fjalë, gjendja e kësaj popullate është me të vërtetë e vështirë. Nëse më jepni besimin dhe zgjidhem  kryetar i shtetit, do të përkujdesem në mënyrë të veçantë që të sigurohen fonde, donacione, që buxheti të ndahet në mënyrë proporcionale. Për këto vendbanime, pra në mënyrë të veçantë, do të angazhohem dhe përkushtohem për Dollnenin, për Karshiakën, poashtu për Karadakun, për lagjet shqiptare në Shkup, në malësinë e Tetovës dhe malësinë e Gostivarit. Natyrisht nëse më jepet besimi, unë do të angazhohem që këto banorë mos të anashkalohen, mos të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, për arsye se edhe këto banorë janë shtetas të këtij shteti, janë qytetarë të këtij shteti dhe këta banorë paguajnë taksa, paguajnë vetëkontribut, natyrisht kërkohet një trajtim i veçantë për ta”, u shpreh kandidati për president i PDSH-së, Iljaz Halimi.
 
Nga ana tjetër, në selinë e PDSH-së në Tetovë, kanë qëndruar sot ambasadori i Suedisë në Maqedoni, Mat Stafanson dhe ambasadori i Malit të Zi në vend, Dushan Merdoviq. Në këto takime u diskutua për situatën aktuale politike, për zgjedhjet dhe për debllokimin e proceseve eurointegruese, thuhet në komunikatën e PDSH-së. 
 
Nga PDSH as sot nuk kanë dashur të komentojnë për përçarjet në degën e PDSH-së në Strugë, pas vendimit të kryesisë qendrore për përjashtimin e anëtarit të kryesisë, Zijadin Sela dhe kryetarit të  degës së kësaj partie, Lavdrim Elmazi, që erdhi si pasojë e vendimit të degës së Strugës të PDSH-së, që të ngrijë aktivitetin e saj politik për zgjedhjet parlamentare.  
 
PDSH ndërkohë në një konferencë për media, sot ka vazhduar akuzat e saj kundër funksionarëve të BDI-së. Nga PDSH akuzojnë zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Fatmir Besimin, për një kontratë me kompaninë “Pucko Petrol”, pronë e kryetarit të Pllasnicës, Ismail Jahoskit, derisa Besimi ka qenë ministër i Mbrojtjes.
 
Fatmir Besimi aktualisht zëvendëskryeministër, deri para një viti ishte ministër i Mbrojtjes dhe gjatë kësaj kohe ka lidhur kontrata dhjetëra milionëshe me kompaninë “Pucko Petrol”, me pronar Ismail Jahoskin, i cili është kryetar i komunës së Pllasnicës nga radhët e BDI-së.
 
Kjo është kontratë e lidhur në mes ministrisë së Mbrojtjes, e nënshkruar nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Besimi dhe kompanisë “Pucko Petrol”, pronë e Ismail Jahoskit, me të cilën ajo obligohet ta furnizojë ministrinë e Mbrojtjes me 1.200.000 litra mazut, kurse ministria e Mbrojtjes t'i paguaj 56.000.000 denarë firmës “Pucko Petrol”, akuzojnë nga PDSH, duke shtuar se për këtë kontratë nuk është hapur procedurë për furnizim publik, por kontrata është lidhur me marrëveshje në katër sy, pa u shpallur paraprakisht tender. (Besim Abdullau, TVM2)