Maqedoni
Ivanov u prezentua ne Vinice dhe Radovish
02.04.2014 18:37
Kandidati për president nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Vinicë dhe Radovish...

Kandidati për president nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Vinicë dhe Radovish, ku para banorëve të këtij rajoni prezantoi platformën e tij presidenciale. Në këtë tubim, Ivanov theksoi se në vitet e kaluara janë realizuar shumë reforma, me qëllim që të krijohet ambient dhe kushte për investim të kompanive të huaja në vend.
Janë ndërtuar shumë rrugë, të cilat janë parakusht kryesor për tërheqjen e investitorëve të huaj, siç është investimi i ri i kompanisë austriake në Vinicë. Ky rajon ka njerëz të vyeshëm, të cilët e mirëpresin ndërtimin e zonës zhvillimore-teknologjike me shembullin e zonave të tjera, të cilat janë të shpërndara në tërë Maqedoninë.
Ivanov njëherit potencoi edhe përkushtimin e tij në rrugën euroatlantike të vendit.
“Deri më tani vendi ka pranuar pesë rekomandime pozitive, pesë rekomandime me të cilat është dëshmuar rruga e hapur e Maqedonisë drejt unionit Evropian, megjithatë vendi ende mbetet i bllokuar nëpër rrugëtim. Nëse fitoj edhe një mandat si president, do të përkushtohem maksimalisht për vazhdim të procesit të ndërtimit të Evropës në Maqedoni”, u shpreh kandidati për president Gjorge Ivanov.
Ai, njëherit shtoi se gjatë mandatit të tij është përkushtuar të punojë ndershëm dhe me sinqeritet dhe ashtu si para 5 viteve edhe tani kërkon rikonfirmim të besimit nga qytetarët e këtij rajoni, me qëllim që në 5 vitet e ardhshme t’i realizojë projektet dhe idetë e qytetarëve të këtij rajoni, në ndërtimin e një Maqedonie më të mirë.
“Para 5 viteve isha këtu që ta kërkoj besimin tuaj, besimin që të jem president i Maqedonisë, atëherë unë ju thashë juve që do të më njihni për atë që jam i ndershëm, i sinqertë dhe i vyeshëm. Pas 5 viteve përsëri jam këtu për t’ju thënë që jam i njëjti ai dhe që nuk kam ndryshuar. Radhën e kaluar kur isha, ju dhashë llogari për punën e realizuar, pasi jam president që ka platformë dhe tani jam këtu me platformë të re, për besim të ri, për një mandat të ri dhe në atë platformë mbeten orientimet strategjike të Maqedonisë, për tu bërë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. E dini që jemi të bllokuar në këtë drejtim, por nuk gjunjëzohemi, kemi punuar suksesshëm për të gjitha obligimet që na kanë qëndruar në agjendë, andaj dhe kemi fituar 5 rekomandime pozitive. Mbetet akoma shumë për të punuar, por kur punohet në ekip, kur punohet bashkërisht, kur një zë kanë edhe presidenti edhe kryeministri edhe ministrat edhe deputetët dhe kryetarët e komunave, atëherë Maqedonia shkon përpara. Shikojeni vetëm Maqedoninë Lindore për këto vite, nga 2006 e deri më tani, kur erdhi një garniturë e re në Maqedoni në krye me Nikolla Gruevskin, ju mbetet juve ta vëreni ndryshimin që është realizuar në të gjitha sferat. E mbështes VMRO-DPMNE–në, sepse e duan Maqedoninë, sepse janë të përkushtuar ndaj Maqedonisë. Kam pasur aktivitete të pasura ndërkombëtare gjatë këtij 5 vjetori, më shumë se 450 takime me diplomatë të huaj, por edhe në Maqedoni kanë ardhur më shumë se 40 president nga vendet e huaja, ata kanë qenë miq të Maqedonisë, kanë qenë ata president, shtetet e të cilëve çdoherë i kanë dalë në mbështetje Maqedonisë. Andaj çdo ditë e më tepër kërkohet që Maqedonia të merr atë që i takon, pa kushte dhe pa bllokime. Na presin sfida të mëdha, por patjetër e kemi të punojmë, të punohet për Maqedoninë dhe për qytetarët e Maqedonisë. Duke pasur parasysh atë që kemi punuar deri më tani, ne kemi fytyrë të pastër të kërkojmë edhe njëherë besimin tuaj për të qeverisur me këtë vend”, deklaroi kandidati për president i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov.
Nga VMRO-DPMNE thonë se posti president përmban shumë funksione të rëndësishme në vend, të cilat kërkojnë përkushtim dhe maturi. Pak njerëz në historinë e Maqedonisë kanë pasur aftësi që funksionin e tyre ta realizojnë në mënyrën e duhur. Pas Nikolla Karevit, Metodija Andonov Chebtos dhe Boris Trajkovskit, Ivanovi është personi i cili është i gatshëm të shpreh kontribut maksimal në çdo krizë eventuale në vend dhe denjësisht mund të përfaqësojë Maqedoninë edhe jashtë vendit. Gjorge Ivanov është personi i cili di t’i zgjidh problemet, andaj në të gjitha karakteristikat njerëzore është e rëndësishme të zgjedhim dikë që do t’i realizojë të gjitha detyrat e presidentit në mënyrën e duhur.
Nga VMRO-DPMNE potencojnë se kur flasim për presidentin Gjorge Ivanov, duhet pasur parasysh edhe arritjet ekonomike, të cilat janë realizuar gjatë mandatit të tij. Në gjashtë vitet e fundit, rritja ekonomike e vendit është mbi 60%, pagat janë rritur mbi 60 %, kemi rritje të eksportit në nivel vjetor, kemi rritje të investimeve të huaja, njëherit kemi edhe rritje të turizmit në vend. Nga VMRO-DPMNE, para banorëve të këtij rajoni, njëherit premtuan se do t’i mbështesin kultivuesit e duhanit dhe t’ju ofrojnë kushte më të volitshme për plasim të duhanit në treg.
Nga VMRO-DPMNE, njëherit theksojnë se qëndrimi i Stevo Pendarvoskit dhe i LSDM–së për çështjen e emrit, është joadekuat për Maqedoninë në krahasim me Gjorge Ivanovin, i cili mban qëndrim të pandryshueshëm, duke mos lejuar ndryshim të emrit kushtetues të Maqedonisë dhe duke i mbrojtur interesat shtetërore të vendit. Ne duam që të jemi evropian, por evropian krenarë si maqedonas, ky është qëndrimi ynë, thuhet nga kjo parti.
VMRO-DPMNE, pritet që tubimin e saj të radhës ta realizojë në Dellçevë, Berovë dhe Pehçevë. (Zejxhane Osmani, TVM2)
