Maqedoni
Komisioni për financa dhe buxhet: Shqyrtohen amendamentet e PDSH-së
13.07.2016 15:50
Mbi 300 amendamentet e dorëzuara nga opozita shqiptare vazhdojnë të jenë pjesë e debatit në Komisionin për financa dhe buxhet lidhur me propozim/buxhetin e ri për vitin 2016...

Pushteti refuzoi kërkesën e PDSh-së për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, ndërsa kjo e fundit akuzoi përfaqësuesit e BDI-së se përveç në letër, mjete për ndërtimin e kësaj autostrade nuk janë siguruar.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Financave, Gëzim Beadini, tha se BDI në platformën e saj ka parashikuar ndërtimin e kësaj rruge.
“Ky amendament nuk pranohet. Sa për informim, në platformën e BDI-së 2014-2018 është paraparë ndërtimi i kësaj autostrade të korridorit 8 Shkup-Bllacë, me vlerë prej 70 milionë euro”,- deklaroi zëvendësministri i Financave, Gëzim Beadini.
“Faktet flasin ndryshe. Faktet thonë se BDI për rrugën Shkup-Bllacë ka paraparë zero denarë. Rruga Shkup-Bllacë është dëshmia e diskriminimit dhe tradhtisë, është rruga që nuk ndërtohet vetëm pse i lidh shqiptarët, vetëm pse është rrugë që lidhet me R. e Kosovës edhe pse Maqedonia ka fitim nga shkëmbimi tregtar me Kosovën, por nuk e ndërton vetëm pse është me Republikën e Kosovës”,- tha Bekim Fazliu nga PDSh.
Komisioni vazhdon me shqyrtimin e amendamenteve edhe gjatë ditëve në vijim, ndërkohë punën e kuvendit edhe më tutje e bojkotojnë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga LSDM.
NAIM RAMADANI
