Botë

Opozita apel deputetëve: Mos votoni për t’i falur tokë Malit të Zi

13.07.2016 16:16

Partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, duke paralajmëruar bllokimin e ratifikimit të marrëveshjes nga ana e Kuvendit...

Përfaqësues të AAK-së dhe Nismës për Kosovën kanë bërë të ditur se do të kthehen në Kuvend, në seancën në të cilën në rend dite do të jetë çështja e demarkacionit për ta kundërshtuar atë dhe ftuan edhe deputetët e shumicës që t’i thonë jo ratifikimit të kësaj marrëveshje.
 
“I ftojmë të gjithë deputetët që të thërrasin mendjen e arsyes, t’i thonë jo demarkacionit, t’i thonë jo ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, sepse nëse ne si deputetë marrim barrën e Komisionit qeveritar dhe Qeverisë në përgjithësi, dhe mendojmë të ratifikojmë marrëveshjen, do të jetë e dëmshme për Kosovën dhe qytetarët, për gjeneratat që vijnë dhe ato do të na mallkojnë për besimin që na kanë dhënë’’,- tha Pal Lekaj nga AAK.
 
“Ne si koalicion nuk do të lejojmë ratifikimin e kësaj marrëveshje, pasi që kemi edhe ekspertët tanë dhe qytetarët të cilët vazhdimisht kanë ofruar dokumente që toka jonë po i jepet shtetit fqinjë’’- tha Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën.
 
Edhe Partia më e madhe opozitare Vetëvendosje është shprehur kundër kësaj marrëveshje, e cila nuk do të jetë në rend dite as në seancën e nesërme, edhe pse ratifikimi i marrëveshjes është kusht për liberalizimin e vizave.
 
GYLTENE SINANI