Maqedoni
Mexhiti dhe Lata vizituan ndërtimin e xhamisë në Çair
02.04.2014 18:42
Kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, po ia kthejnë të drejtën e mohuar pupullatës së besimit islam...

Kryetarët e komunave me shumicë shqiptare, po ia kthejnë të drejtën e mohuar pupullatës së besimit islam, që në afërsi të kenë xhami, ku mund të kryejnë obligimet fetare. Kreu i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe ai i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata, vizituan xhaminë e re që po ndërtohet në Çair.
“Kjo lagje në kohën e monizmit ka qenë një prej lagjeve ku nuk ka pasur xhami dhe në bashkëpunim me BFI-në dhe me donatorin nga Çairi, arritëm që të realizojmë këtë projekt që është një kërkesë e kahmotshme, me dekada të tëra nga popullata”, deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Nëse në të kaluarën komuna ishte ajo që pengonte ndërtimin e një xhamie, tani janë pikërisht komunat që lehtësojnë ndërtimin e tyre, thotë kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata.
“Roli i komunave është roli kryesor krahasuar me të kaluarën, ngase më në fund gjithçka mund të kemi. Por ne kemi ardhur si kryetar komunash, që këtyre objekte t’ia lejojmë ndërtimin, ta stimulojmë, por nëse ka nevojë edhe të organizojmë ndihma për të ndërtuar këto objekte”, u shpreh kryetari i komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata.
Mbështetja e komunave në ndërtimin e xhamive, është mirëpritur edhe nga BFI.
“Ngelet që muajin e ardhshëm të bëhet hapja solemne e kësaj xhamie, e cila mendoj se do të luaj një rol shumë pozitiv në qytetin e Shkupi dhe në përgjithësi”, tha myftiu i Myftinisë së Shkupit, Ibrahim Shabani.
Kreu Çairit, Izet Mexhiti, paralajmëroi ndërtimin e një xhamie edhe në lagjen Fushëtopanë. (Florije Kamberi, TVM2)
