Banorët e Komunës së Tearcës prej sot dokumentet personale i nxjerrin në komunë
13.07.2016 16:52
Nga dita e sotme, banorët e Komunës së Tearcës nuk do të kenë më nevojë që të vinë deri në Tetovë për të nxjerrë dokumentet personale....

Nga dita e sotme, banorët e Komunës së Tearcës nuk do të kenë më nevojë që të vinë deri në Tetovë për të nxjerrë dokumentet personale, por të njëjtat mund t’i nxjerrin në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tearcë, dhe ky hap do të lehtësojë tej mase fluksin e njerëzve që prisnin para Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë. Kjo është bërë e ditur gjatë një vizite të zëvendësministrit për Punë të Brendshme në Tearcë, Agim Nuhiut, i cili ka theksuar se kjo njësi administrative do të funksionojë përgjithmonë në këtë stacion.
“Jemi këtu në Stacionin policor të Tearcës për të shprehur mbështetjen tonë të drejtpërdrejtë që shërbimet e Ministrisë për Punë të Brendshme të jenë më efektive dhe më afër qytetarëve. Sot promovojmë hapjen e zyrave që do të shërbejnë për nxjerrjen e dokumenteve personale për qytetarët e Komunës së Tearcës dhe rrethinës, edhe atë për nxjerrjen e pasaportave, letërnjoftimeve dhe certifikatave të shtetësisë. Këto shërbime i kemi të sistematizuara në stacionin policor të Tearcës, që të funksionojnë njëherë e përgjithmonë”,- deklaroi zëvendësministri i SPB-së, Agim Nuhiu.
Ky shërbim, që do të funksionojë prej ditës së sotme, është mirëpritur edhe nga kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani, duke u shprehur se qytetarët e kësaj komune kanë pasur nevojë të kamotshme.
“Mjaft qytetarët e Komunës së Tearcës janë malltretuar për një letërnjoftim apo pasaportë dhe certifikatë të nënshtetësisë për të shkuar deri në Komunën urbane në Tetovë. Siç e dini, në dy apo tre sportele në Tetovë jepen shërbime për 200 mijë banorë të Tetovës dhe rrethinës”,- tha kryetari i Komunës së Tearcës, Isen Asani.
Komuna e Tearcës, në bashkëpunim me Stacionin policor të Tearcës, ka punuar për rregullimin e infrastrukturës, zgjerimin e hapësirën para stacionit policor, tamponimin dhe bekatonizimin e hapësirës, trotuareve, ndriçimin dhe parkingun.(Visar Sadiki, TVM2)
