Maqedoni
BDI: Zhvillimet ne PDSH çeshtje e brendshme e tyre
02.04.2014 18:48
BDI nuk i gëzohet përçarjes te konkurrenti i saj politik në PDSH. Përçarja në PDSH është çështje e brendshme e kësaj partie dhe dëmton vetë opozitën shqiptare...

BDI nuk i gëzohet përçarjes te konkurrenti i saj politik në PDSH. Përçarja në PDSH është çështje e brendshme e kësaj partie dhe dëmton vetë opozitën shqiptare, thotë nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti. Sipas tij, fitorja e BDI-së në bllokun shqiptar edhe në këto zgjedhje është më se e qartë.
“Janë çështje të brendshme të PDSH-së, mirëpo kjo dëmton opozitën në përgjithësi, në veçanti opozitën shqiptare. Përndryshe mendoj se edhe në këto zgjedhje në kampin shqiptar fiton BDI, ndërsa në kampin maqedonas VMRO-DPMNE, pra këto zgjedhje do të përcaktojnë faktorizimin e votës shqiptare”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Në këtë frymë është edhe gara në njësitë zgjedhore tre dhe katër. Meqë shqiptarët dhe të tjerët e këtyre zonave nuk janë trajtuar dhe ndihmuar nga partitë maqedonase, BDI ofrohet si mundësi e re, thotë Mexhiti.
“Do të luftojmë për votën e çdo shqiptari në Republikën e Maqedonisë, si dhe afrimin e të gjitha komuniteteve më të vogla, sepse vlerësojmë se ne jemi opsioni më i mirë edhe për komunitetet tjera, nga dy opsionet maqedonase VMRO dhe LSDM”, theksoi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
Në këto zgjedhje, BDI për herë të parë ka dalë me lista për deputet në të gjitha njësitë zgjedhore, brenda dhe jashtë vendit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
