Maqedoni
Grupet e punës, Orav: Vetëm një çështje ka mbetur e hapur
14.07.2016 14:57
Pas bisedimeve maratonike, katër partitë politike, nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinës, nuk arritën marrëveshje përfundimtare...

Pas bisedimeve intensive në rezidencën e BE-së deklaratë dha vetëm ambasadori, Aivo Orav, i cila tha se palët negociuese nuk kanë arritur marrëveshje vetëm për një çështje, por nuk saktësoi se për cilën çështje palët nuk kanë arritur të përafrojnë qëndrimet.
Sipas informatave paraprake, mospajtime ka pasur më së shumti rreth kompetencave të ministrit të Brendshëm që do duhej ta ketë opozita në 100 ditëshin para zgjedhjeve, si dhe tërheqjen e Ligjit të ri për punë të brendshme.
"Përfunduam një punë të rëndësishme për të cilën nevojitet shumë kohë. Shumë çështje janë dakorduar, por ekziston edhe një çështje e cila është e hapur, dhe për këtë, për fat të keq, nuk ishim në gjendje të arrijmë marrëveshje, gjegjësisht partitë nuk ishin në gjendje të arrijnë marrëveshje dje. Shpresoj se do të vazhdojmë sa më shpejtë",- deklaroi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Deri më tani palët kanë arritur marrëveshje për çështjen e mediave dhe listën zgjedhore. Në trupin rregullator për monitorim të mediave gjatë periudhës së zgjedhjeve, çdo parti politike do të propozojë nga një anëtarë, ndërsa i pesti do të emërohet me konsensus.
Sa i përket listës zgjedhore, për 40 mijë votuesit e kontestueshëm do të ketë dy afate për paraqitje, afati i parë prej 30 ditësh dhe afati i dytë i rregullt prej 20 ditësh kur është shqyrtimi publik i listës së votuesve.
Nëse në këto dy afate nuk paraqiten, atëherë ata do të fshihen nga lista e votuesve. Për 170 mijë mërgimtarët e tjerë është arritur pajtueshmëri të zhvendosen në listë të posaçme zgjedhore dhe të evidentohen me yll. Data e mbajtjes së zgjedhjeve varet nga ajo se kur do të arrihet marrëveshje përfundimtare.
Nëse grupet punuese harmonizojnë qëndrimet, deri në fund të gushtit duhet të mbahet një takim liderësh, ku duhet të vlerësohet nëse janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve dhe më pas të caktojnë datën e mbajtjes së zgjedhjeve.
SANIJE DURAKU
