Maqedoni

Lëvizja BESA kritikon pushtetin dhe komunën e Tetovës për mosrealizimin e projekteve të premtuara

14.07.2016 16:23

Lëvizja BESA, dega në Tetovë, ka kritikuar ashpër partin në pushtet dhe drejtuesit e komunës së Tetovës...

Lëvizja BESA, dega në Tetovë, ka kritikuar ashpër partin në pushtet dhe drejtuesit e komunës së Tetovës për mosrealizimin e projekteve të premtuara dhe mosmenaxhimin në mënyrë efikase të buxhetit të shtetit për pjesën shqiptare. Sipas saj, pas rebalancit të buxhetit nga ana e qeverisë, janë shkurtuar një sasi e madhe e mjeteve, konkretisht në pjesën shqiptare.
 
“Nga ky buxhet i paraparë, për çdo sferë shihet qartë një diskriminim i hapur ndaj komunave shqiptare, sidomos ndaj komunës së Tetovës, ku për fat të keq edhe pushteti qendror edhe ai lokal janë nga e njëjta parti politike, pra BDI. Në arsim me rebalancin e buxhetit të vitit 2016 nuk janë paraparë mjete të mjaftueshme për ndërtim dhe rinovim të shkollave fillore dhe të mesme. Buxheti është projektuar me 1.9 milionë euro, nga ky buxhet as një për qind nuk është paraparë për komunën e Tetovës, është paraparë të zvogëlohet edhe buxheti për Universitetin e Tetovës. Po ashtu edhe në aspektin e infrastrukturës së ujësjellësit, gjendja është thuajse e njëjtë. Biblioteka e Tetovës, një projekt me të cilin BDI nga viti 2005 e këndej i ka gëlltitur votat e qytetarëve të Tetovës, nuk ka arritur të ngritët as edhe një metër mbi tokë”,- deklaroi kryetari i degës së Tetovës, Hazbi Mamuti.
 
Përndryshe, Lëvizja BESA në Tetovë ka akuzuar komunën e Tetovës  dhe qeverinë se nuk ndan asnjë denarë për të përmirësuar kushtet në turizëm, ku dihet se Tetova ka Malin Sharr dhe Kodrën e Diellit.
 
VISAR SADIKI