Maqedoni

Biblioteka e ITShKSh-së pasurohet me qindra libra nga akademiku Starova

14.07.2016 16:37

Profesor akademik, Luan Starova, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptareve në Shkup ia dhuroi fazën e parë të librave me përmbledhje të ndryshme...

Profesor akademik, Luan Starova, Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore Kulturore të Shqiptareve në Shkup ia dhuroi fazën e parë të librave me përmbledhje të ndryshme, të cilat do të jenë në dobi të lexuesve dhe do të shërbejnë edhe për punime shkencore.
 
Akademiku Starova tha se kjo është vetëm pjesa e parë e dhurimit të librave dhe se do të dhurojë edhe libra tjera.
 
“Mendoj se viteve të fundit është afirmuar dhe është bërë një faktor i rëndësishëm, kisha thënë kryesor, të zhvillimit të ruajtjes, të kultivimit të trashëgimisë sonë dhe të imponohet si një lloj paradigme shkencore për gjeneratat e tanishme dhe gjeneratat që vijnë. Unë ashtu mendoja të lë këtu një pjesë të jetës sime, sidomos librat të cilat kam punuar dhe mendoj se ato do të vazhdojmë të jetojnë me shkencorë, besoj të tjerë të rinj”- deklaroi profesor akademik, Luan Starova.
 
Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Hasani, tha se ky rast do të nxisë edhe studiuesit e tjerë dhe intelektualët e tjerë që t’i kushtojnë një vëmendje të posaçme këtij instituti, pasi që po i merr të gjitha format e duhura të funksionimit të tij.
 
“Ky rast do të nxisë edhe studiuesit e tjerë dhe intelektualët tjerë që t’i kushtojnë një vëmendje të posaçme institutit tonë, sepse ne jemi në hapat e konsolidimit dhe avancimit si institut dhe ky rast është rast i cili na begaton dhe na nderon”,- tha drejtori në ITShKSh, Skender Hasani.
 
Biblioteka dhe arkivi janë baza kryesore e funksionimit të  Institutit, tha Hasani, pasi hulumtimi është primar që në mënyrë argumentuese të shkruhet një vepër shkencore apo një monografi.
 
GYLTENE SINANI