Maqedoni
Popovski takon Kerin në bruksel
02.04.2014 18:02
Maqedonia vazhdon t’i bëjë thirrje Greqisë që të respektojë të Drejtën Ndërkombëtare, respektivisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë...

Maqedonia vazhdon t’i bëjë thirrje Greqisë që të respektojë të Drejtën Ndërkombëtare, respektivisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në kohën kur bota i kërkon Rusisë të respektojë të drejtën ndërkombëtare në situatë me Ukrainën.
Këtë argument e ka shfrytëzuar ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, në takimin e sotëm të NATO-s në Bruksel, të përkushtuar për Afganistanin, ku Maqedonia është pjesëmarrëse në misionin ISAF. Në margjina të këtij takimi, ministri Popovski është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, Xhon Keri dhe me zyrtarë të tjerë.
Me diplomatët e huaj, Popovki ka biseduar rreth zgjerimit të NATO-s dhe mundësisë së integrimit të Maqedonisë në paktin veriatlantik.
“Për ne është më e rëndësishme pritja për zgjerim. Të gjitha argumentet dhe diskutimet me kolegët tanë, shkojnë në linjë se ne që moti i kemi përmbushur kriteret, por pengesa që na bëhet nga fqinjët tanë është më e rëndësishmja. Për ne është shumë me rëndësi që edhe ai vend anëtar t’i kthehet të Drejtës Ndërkombëtare dhe së bashku të vazhdojmë të hapërojmë me Aleancën Veriatlantike, ashtu siç kemi vepruar më herët”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Në shtator, në Vells të Britanisë së Madhe, do të mbahet samiti i NATO-s, ku do të jetë në rend dite edhe politika e zgjerimit. Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, Maqedonia dhe Mali i Zi janë kandidat potencial sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në strukturat e NATO-s. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
