Maqedoni

Komisioni për financa dhe buxhet, vazhdon shqyrtimi i amendamenteve

14.07.2016 16:46

“Amendamenti nuk pranohet”,- tha zëvendësministri i Financave, Gëzim Beadini...

Komisioni për financa ka vazhduar shqyrtimin e amendamenteve të lidhura me propozim buxhetin e ri për vitin 2016.
 
Ngjashëm si në miratimin e buxheteve të kaluara, anëtarët e Komisionit me shumicë votash kanë hedhur poshtë amendamentet e parashtruara nga opozita.
 
PDSh, e cila ka parashtruar amendamentet, ka akuzuar pushtetin për diskriminim financiar ndaj shqiptarëve dhe vjedhjen e buxhetit të tyre.
 
“Kjo është me pak fjalë ajo skema e diskriminimit që ju bëhet shqiptarëve në këtë shtet. Nëpërmjet vjedhjes së parave, vjedhjes së djersës së shqiptarëve, pasi që janë shqiptarët ata të cilët e mbushin buxhetin 30-40% dhe ato mjete duhet të ju kthehen nëpërmjet investimeve të shtetit nëpër vendbanimet e tyre për lehtësimin e jetesës së tyre, përmirësimit të kushteve të jetesës së tyre, të fëmijëve të atyre që e mbushin buxhetin, por ndodh e kundërta, të gjitha këto mjete barten atje ku duan maqedonasit, në pjesën me shumicë maqedonase”,- deklaroi Imer Aliu nga PDSh.
 
Opozita shqiptare ka propozuar mbi 300 amendamente, ndërsa deri më tani anëtarët e Komisionit për financa dhe buxhet e kanë shqyrtuar rreth gjysmën e tyre.
 
NAIM RAMADANI