Botë
Steinmeier: Emërimi i Johnson, lajm i hidhur
14.07.2016 17:02
Kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka emëruar Boris Johnsonin si sekretar të jashtëm në qeverinë e saj, i cili vendim ka shkaktuar habi dhe reagime.

Johnson, ish-kryetar i Londrës, ka udhëhequr fushatën për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, që tashmë njihet me termin Brexit. Kryediplomati gjerman, Frank-Walter Steinmeier, e ka quajtur emërimin e Johnson si lajm të hidhur.
“Njerëzit atje janë duke përjetuar një zgjim të pakëndshëm, pasi politikanët e papërgjegjshëm fillimisht e nxorën Britaninë nga Bashkimi Europian dhe më pas u ikën përgjegjësive. Të jem i sinqertë, kjo më duket shokuese. Dhe, natyrisht, nuk është e hidhur vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për Bashkimin Europian”,- deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Johnson po ashtu ka shkaktuar shtangie në Europë, duke krahasuar qëllimet e Bashkimit Europian me ato të Adolf Hitlerit dhe të Napoleonit.
Nga ana tjetër, edhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka thirrur në telefon homologun e sapoemëruar britanik për ta uruar për postin e ri dhe për t’i kërkuar “qasje të matur dhe të ndjeshme” gjatë daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Departamenti amerikan i shtetit ka thënë se Kerry dhe Johnson “janë pajtuar që marrëdhëniet e veçanta të ShBA-ve dhe Britanisë janë po aq esenciale si më parë”, ndërsa janë zotuar se do të punojnë së bashku.
Ndryshe, kryeministrja e re e Britanisë së Madhe, Theresa May, është zotuar se do të udhëheqë një qeveri që punon për të gjithë dhe jo vetëm për disa të privilegjuar.
LEUNORA KALIQI
