Maqedoni
Marrëveshja politike, Maksuti: Së shpejti me presion ndërkombëtar
14.07.2016 17:18
Dakordimi i palëve negociatore në Përzhinë do të ndodh së shpejti edhe përkundër mosarritjes së marrëveshjes mbrëmë mbi pikën e vetme: kompetencat e ministrit të Punëve të Brendshme...

Analisti politik, Mersim Maksuti, thotë se me presion ndërkombëtar palët në bisedime do të dakordohen që njeriut të parë të policisë të mos i kufizohen kompetencat për ndryshimet kadrovike, pasi që vendimi i tillë bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Përzhinës.
“Sjelljen e këtij ligji e shoh si një akt i cili është në kundërshtim me Marrëveshjen e Përzhinës, në fakt si një akt i cili i paraqet obstruksion ose vështirësi realizimit të plotë të Marrëveshjes së Përzhinës për arsye se të gjitha ligjet dhe ndryshimet eventuale të cilat mund të bëhen vetëm pas realizimit të plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe zgjedhjeve të cilat do të duhet të mbahen në Maqedoni në periudhën e afërt. Besoj se edhe kjo pikë së shpejti nën presionin e faktorit ndërkombëtar do të arrijë të ketë zgjidhje”,- deklaroi analisti politik, Mersim Maksuti.
Sipas Maksutit, pika më e dhimbshme e marrëveshjes është konfirmimi i 40 mijë votuesve të kontestueshëm, ku pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë në diasporë. Atyre u rrezikohet e drejta e votës, thotë Maksuti.
“Shumica prej tyre janë shqiptarë dhe bëhet fjalë për njerëz që ne i kemi në emigracion. Problemi paraqitet në kuptimin e asaj se tashmë do të duhet të paraqiten patjetër votuesit e dyshuar shqiptarë që të konfirmohet se janë prezentë në RM dhe kjo pa mëdyshje paraqet vështirësi të theksuar dhe një problem të madh që numri dërmues i tyre të mos kenë mundësi të jenë nëpër listat votuese të RM-së”,- theksoi Maksuti.
Çështja e votuesve të kontestueshëm bashkë me kontrollin mbi mediat gjatë fushatës parazgjedhore, tashmë vlerësohen si të mbyllura. Mbetet që bisedimet të përqendrohen në kompetencat e ministrit të Punëve të Brendshme dhe më pas t’i hapet rruga takimit të liderëve, që pritej të mbahet këtë të premte.
MERAL ISMAILI
